I vodhën të moshuarës në Pukë 100 mijë lekë dhe e rrahën, arrestohet njëri prej autorëve (VIDEO)

Policia ka vënë në pranga një 27-vjeçar nga Vau i Dejës, i cili në bashkëpunim me shokun e tij kanë vjedhur 100 mijë lekë një të moshuare në Pukë dhe e kanë dhunuar. Ndërkohë, autori tjetër i kësaj ngjarjeje të ndodhur rreth dy vite më parë, është ende në kërkim.

Njoftimi i policisë:

Pukë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Harresa”.

Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për vjedhjen me dhunë, të një sasie parash, në një banesë.

Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Pukë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, në vijim të punës për kapjen e autorëve të ngjarjes së ndodhur më datë 20.08.2020, në fshatin Kqirë, Pukë, ku dyshohet se, në banesën e një shtetaseje të moshuar, u vodh me dhunë një shumë parash, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Harresa”.

Si rezultat i këtij operacioni u kap dhe u ndalua shtetasi V. N., 27 vjeç, banues në fshatin Naraç, Vau i Dejës, i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, me vendimin e datës 09.07.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin M. N. (i shpallur në kërkim), më datë 20.08.2020, gjatë natës, në lagjen “Kishagji”, në fshatin Kqirë, Pukë, kanë hapur me forcë derën e banesës së shtetases M. N., 80 vjeçe, të cilën e kanë goditur dhe më pas kanë marrë shumën 100.000 lekë të rinj, në këtë banesë.

Vijon puna për kapjen e shtetasit M. N.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”./albeu.com


Shtuar 11.07.2022 12:05