Debat në Komisionin e Inceneratorëve, Tabaku – administratores: Keni paga 7 mijë euro, 3 herë më të larta se tregu

Mbledhja e ditës së sotme në Komisionin e Inceneratorëve është shoqëruar me debate mes kryetares Jorida Tabaku dhe administratorëve që ndodhen aty për të dëshmuar.

Tabaku ka folur për pagat e punonjësve të inceneratorit të cilat sipas saj janë disa herë më të larta se tregu dhe merren nga fondet publike.

“Pagat të cilat janë në nivelin e 7 mijë euro janë më të larta se tregu dhe çdo lloj page tjetër. 7 mijë euro dhe mos harroni se janë paguar 35 milionë euro nga fondet publike për këtë incenerator. Ky është shqetësimi”, tha Tabaku.

Nga ana tjetër administratorja e kompanisë “Integrated Energy”, Ariola Kodra u shpreh se shoqëria është private dhe ka të drejtën e saj ta vendosë vetë nivelin e pagave, pasi nuk varet nga fondet publike.

Ndërkohë që Tabaku theksoi se kompania ka marrë 35 milionë euro fonde nga buxheti i shtetit për Inceneratorin e Tiranës.

Tabaku ka bërë dhe një krahasim të deklarimeve të investimeve që ka bërë kompania të cilat janë të ndryshme në 3 institucione.

Debati për pagat në komision:

Tabaku: Kam këtu pagat e kompanisë që janë paga tre herë më shumë se mesatarja e tregut, janë paga që paguhen nga fondet publike?  Pagat e koncesionarit janë tre herë më të larta se pagat mesatare të tregut mund të më jepni një përgjigje për këtë?

Kodra: Shoqëria është shoqëri private dhe ka të drejtë të vendosë standardin e pagave në varësi të politikave të saj

Tabaku: Pagat të cilat janë në nivelin e 7 mijë euro janë më të larta se tregu dhe çdo lloj page tjetër. 7 mijë euro dhe mos harroni se janë paguar 35 milionë euro nga fondet publike për këtë injcenerator. Ky është shqetësimi!

Kodra: Shoqëria nuk operon me fondet publike, por me fondet e saj private.

Tabaku: Shoqëria operon me fonde publike dhe do t’ua tregoj unë si operon në bazë të raportit të Ministrisë së Financave.

Debati për deklarimet e investimeve:

Tabaku: Pasqyrat financiare që keni depozituar ju në QKB. Në 2019 në KLSH keni dorëzuar një shkresë ku tregohet se vlera e incvestimeve  29 milionë euro. (ndërhyn anëtari i PS). Pëllumbi mos mu bëni avokat i kompanisë së inceneratorëve. Në pasqyrat e kompanisë në QKB në 2019 thuhet se investimi është 5 milionë euro ndërkohë që KLSH i thoni se keni investuar 29 milionë euro. Kam dhe raportin e ministrisë së financave të monitorimit 2018, 2019, 2020.  Thuhet që investimi deri tani është 2.9 miliardë euro… në cilin rast subjekti ka deklaruar të vërtetë. Ka gënjyer ministria, apo keni gënjyer klsh. Bëhet fjalë ëpr një gënjeshtër në deklarim. S’ka pagesa nga buxheti i shtetit thatë ju por në 3 dokumente të ndryshme këtu del që ka ndodhur.

Kodra: Unë thashë që shoqëria nuk merr para nga buxheti për investimin. Investimin e kryen me fondet e veta. Merr një tarifë depozitimi për shërbimin që ofron.

Tabaku: Vlera e investimit për projektin e inceneratorin e Tiranës thotë tabela e ministrisë së financës.

Kodra: Këto të dhëna s’i disponoj, s’mund t’u përgjigjem tani./albeu.com


Shtuar 14.02.2022 15:09