Paqe apo luftë, radhën e kanë shqiptarët
Pëlqej
Nga Ervin Shkulaku

Si rrallë herë sot ka përfunduar pa luftë por me përqafime dhe buzëqeshje një konflikt në Ballkanin Perëndimor.

Maqedonia ose tashme sic quhet Maqedonia e Veriut ka nënshkruar marrëveshjen e paqes me Greqinë duke i dhënë fund konfliktit të ngrirë 27 vjecar.

E pas kësaj dite të shënuar radhën e kanë shtetet shqiptare për t'i dhënë fund konflikteve të ngrira. Shqipëria dhe Kosova duhet të zgjidhin me paqe konfliktet që kanë me Greqinë dhe Serbinë.

Shqipëria dhe Greqia kanë konfliktin detar por duket se një marrëveshje është afër dhe deri në fund të qershorit pritet të nënshkruhet duke i hapur rrugën kështu integrimit evropian. Edhe pse ndryshe nga Maqedonia, Shqipërisë nuk i është përmendur shpesh në publik kjo marrëveshje si kusht për hapjen e negociatave, liderët evropianë e kanë thënë qartazi se nuk duhet të ketë probleme kufitare ndërmjet shteteve të BE-së ose atyre që duan të hynë në BE.

Gjithashtu, si në Maqedoni edhe këtu kjo marrëveshje do të kundërshtohet nga opozita, kryesisht nga Sali Berisha.

Por ndikimi i saj do të jetë i vogël dhe përshpjetimi i kësaj marrëveshje do të varet nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Në rast se do t'i japë mbështetje atëherë nuk do të ketë asnjë pengesë kohore për Edi Ramën që ta nënshkruajë marrëveshjen e paqes me Greqinë.

Por, shumë më e komplikuar dhe më e vështirë do të jetë normalizimi i marrëdhënieve për Kosovën.

Kosova duhet të arrijë një marrëveshje paqeje me Serbinë që fare pak vite i ndan lufta. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç janë shprehur se duhet një marrëveshje përfundimtare por diçka e madhe ata i ndan.

Kosova kërkon njohjen e pavarësisë ndërsa Serbia i thotë jo. E kjo është një sfidë që sipas rrethanave aktuale është e pamundur.

Por mos të harrohet edhe shprehja " Gjithcka është e mundur". E këtë mund ta arrijë vetëm Bashkimi Evropian duke iu dhënë shumë favore shteteve në fjalë pasi deri në fundin e këtij viti duhet me patjetër të nënshkruhet një marrëveshje.

Ballkani Perëndimor përgjatë historisë gjithmonë ka qenë një vatër e luftrave pasi në këtë rajon përplasen ideologjitë dhe nacionalizmat. Prandaj si ka thënë në një takim edhe vetë Federika Mogherini ky rajon gjithmonë të befason dhe për një moment mund të prishet gjithçka që është arritur me vite pune.

E në rast se këto marrëveshje përfundojnë me paqe atëherë mund të thuhet se ky Rajon është pothuajse i anëtarësuar në Bashkimin Evropian për t'u përballur me sfidat të reja globale.

Normal, sfidat e reja do të jenë të vështira dhe tashmë vetëm sa kanë filluar. Ishte Shqipëria e cila qëndroi pranë shteteve të BE-së, kundër SHBA-ve në votimin e OKB-së për Jeurzalemin.

Gjithashtu vitin e ardhshëm edhe BE nuk do të jetë më e njejta e dobët dhe e pafuqishme pasi me reformat e kërkuara nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron institucioni i BE-së do të jetë i forcuar dhe shtetet në të nuk do ta kenë lluksin të veprojnë shumë të pavarur në politikat globale.

E si përfundim filloni të mësoni gjermanisht ose frengjisht pasi anglishtja do të jetë një gjuhë dytësore në BE, e përëndësishme./albeu.com/





Shtuar më 17/06/2018, ora 16:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori