Papandreu: Me Georgievskin isha afër gjetjes së zgjidhjes për emrin
Për nevojën e gjetjes së zgjidhjes për çështjen e emrit, si dëshmi në praktikë se ekziston vullnet nga ana e Maqedonisë, ka folur ish-kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu, në një intervistë për gazetën greke “Etnos”.

Siç tha ai, duket se Qeveria aktuale e Maqedonisë, ka kuptuar se irredentizmi çon në situatë pa zgjidhje dhe shtoi se nëse heqim anash kontestin e emrit, Shkupi është aleat i natyrshëm i Athinës.

“Në qoftë se rrethanat e sotme lejojnë zgjidhje të kënaqshme, situata më e gjerë gjeopolitike është një arsye më tepër për të ecur një hap para. Shkupi, nëse heqim anash emrin, është aleati ynë i natyrshëm. Zgjidhja e problemit do të na lejojë që përsëri të shfrytëzojmë pozitën tonë strategjike në Ballkan”, thotë Papandreu.

Ai komenton se gjatë kohës kur ai ka qenë ministër i Punëve të Jashtme, me kolegun e tij nga pala maqedonase Georgievski kanë qenë afër gjetjes së zgjidhjes, por i përmend edhe takimet dypalëshe taktike me Gruevskin, kur të dy kanë qenë kryeministra.

“Me Gruevskin, kisha ndjenjën se e përdor çështjen e emrit si arsyetim për problemet e brendshme”, thotë Papandreu.

Ish-kryeministri i Greqisë, siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina, shpreh kritikat e tij ndaj partisë opozitare “Demokracia e Re” për shkak të qëndrimit të tyre për emrin, respektivisht kërkesën e tyre që partnerët e koalicionit qeveritar të pajtohen për një qëndrim të përbashkët dhe unik.

Jorgos Papndreu ishte kryeministër i Greqisë në vitin 2009-2011 ndërsa pas mospajtimeve të brendshme ai u largua nga PASOK-u. Dy vjet më parë ai formoi partinë e tij, “Lëvizja e Socialistëve Demokratike”, e cila ka kredibilitet dhe popullaritet të vogël në Greqi.
Shtuar më 31/12/2017, ora 15:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori