“Pajtim historik me shqiptarët”: A është thirrja e Vuçiç një manovër taktike?
Pëlqej
Presidenti i Serbisë, Vuçiç bën thirrje për dialog për Kosovën dhe për “pajtim historik me shqiptarët”. Për këtë, disa e brohorasin si vizionar. Kritikët dyshojnë për një manovër taktike.

Presidenti serb ka në bazë të kushtetutës së Serbisë vetëm funksione përfaqësuese – posti i tij është simbolik, pa kompetenca praktike. Por Aleksandar Vuçiç ka prej pesë vitesh të gjithë frerët e pushtetit në duar, si shef i partisë së fuqishme të Përparimit: në fillim si zëvendëskryeministër, pastaj si Kryeministër dhe tani si President i shtetit.

Herë pas here, Vuçiçi vendos të merret me gjëra të mëdha. Prej javësh dominon thirrja e tij për “dialog të brendshëm serb” për temën e Kosovës, në interpretimin e tij “një shans historik” për pajtimin me shqiptarët. E gjitha ka elementë hollivudianë: pikërisht ky President, që në vitet nëntëdhjetë qe një nacionalist i etur për gjak, i cili i shante përditë shqiptarët, dëshiron ta zgjidhë përfundimisht këtë çështje.

Dialog me një autokrat?

Problemi në këtë punë: Presidenti e “hapi” diskutimin pa ofruar një platformë. Kështu në Beograd vrasin mendjen, se si, kur, ku dhe për se do të flitet. Fjalën duhet ta marrin të gjithë aktorët, edhe Kisha Ortodokse tepër konservatore Serbe – më tepër Vuçiç-i nuk tha. Ai vetë fillimisht do të dëgjojë ato që do të thuhen dhe në fund do të marrë një vendim. A mund të ketë një pamje të tillë një dialog historik?

“Në thelb, Aleksandar Vuçiç nuk ka një ide të qartë, por që përpara i diskualifikon të tjerët, që kanë mendim të ndryshëm nga ai”, thotë Dusan Janjic nga Forumi i Beogradit për marrëdhëniet ndëretnike, i cili merret intensivisht me çështjen e Kosovës. Sipas Janjicit, thirrja e Vuçiç-it për dialog nuk është gjë tjetër veçse një manovër taktike: “Krejtësisht sipas motos: ju pyeta, nuk thatë asgjë, pra unë edhe më tej do të vendos vetë – por përgjegjësinë do ta ndaj me ju.”

Opozita e shoqërisë civile nuk pranon fare të merret me këtë- me një autokrat nuk mund të bësh gjithsesi dialog, thuhet. Partitë e copëzuara të djathta, të cilat mund të mbledhin 15 përqind të votave, nuhasin tradhëti: sipas tyre, me shqiptarët as që duhet folur fare. Në medie dëgjohen edhe disa ide, të cilat flasin për një ndarje të Kosovës e deri për një anëtarësi të mundshme të Kosovës në OKB.

Në një kohë kur në mënyrë diplomatike Presidenti i mirëpret të gjitha propozimet, shokët e partisë së tij sulen çdo ditë në mediet e afërta me qeverinë kundër kundërshtarëve politikë. Kështu ata damkosen si “frikacakë”, kur heshtin për temën e Kosovës, ose si “patriotë falsë” dhe “urryes të serbëve”, kur shprehen për këtë temë.

Gjueti shtrigash ndaj kritikëve

Pavarësinë e ish-provincës serbe Kosovë sot e njohin 111 shtete në të gjithë botën, por jo pesë anëtarë të BE dhe fuqitë me të drejtë vetoje në OKB, Rusia dhe Kina. Në Beograd kjo punë shihet në mënyrë të veçantë: pavarësia e Kosovës nuk duhet të njihet, por realiteti duhet pranuar. Marrëveshja e arritur në vitin 2013 në Bruksel me qeverinë në Prishtinë parashikon kështu integrimin e plotë të Veriut të Kosovës të banuar kryesisht me serbë në republikën e Kosovës, gjë që shumë vëzhgues e interpretojnë si një njohje faktike.

Një tezë që e ndesh dendur thotë: si nacionalist ekstremist që ka qenë, Presidenti Vuçiç duhet të sillet sot në mënyrë pragmatike për çështjen e Kosovës, në mënyrë që Perëndimi ta durojë në heshtje stilin e tij princëror të qeverisjes.

Kjo taktikë duket se po funksionon. Në një kohë kur partia e tij e Përparimit bën gjueti shtrigash kundër kritikëve në vend, i ndan vendet e punës dhe postet në bazë të listës partiake dhe kufizon të drejtat e punëtorëve, Vuçiç-in e lëvdojnë në Bruksel dhe në Berlin si shtyllë të stabilitetit në Ballkan, si reformator aktiv dhe madje si vizioner. Kritika për nepotizmin ose për mungesën e sundimit të ligjit përmendet me zë të lartë vetëm rrallë dhe vetëm në periferi të raporteve të progresit të BE.

Pas thirrjes së tij për dialogun për Kosovën, pati që u habitën në Beograd, kur në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” u shkrua se Vuçiç-i “po kërcen mbi hijen e errët të historisë serbe”. Një këngë me lëvdata, për të cilën më parë ai vetëm mund të ëndërronte.

Tema e Kosovës nxit emocionet dhe populizmin

A mund t’ia lejojë vetes pushtetmbajtësi serb, për të cilin bujarisht thuhet se ka guxim, që ta shuajë preambulën për Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë? Kjo është pyetja më e vështirë. Sepse megjithëse serbët që jetojnë në mjerim ekonomik nuk interesohen fort për Kosovën – vetëm dy deri në tre përqind e shohin Kosovën si temë të rëndësishme – tema e Kosovës ngërthen edhe më tej emocione të mëdha. Duke iu referuar betejës në Fushën e Kosovës (në vitin 1389) Kosova vazhdon të quhet “djepi i serbizmit”. Edhe më tej 80 përqind e serbëve mendojnë se pavarësia e Kosovës nuk duhet të njihet në asnjë mënyrë.

“Nuk kemi ide, zotëri, edhe mendja më e mençur e Serbisë nuk mund të ofrojë zgjidhje për momentin. Më parë duhet të shohim se si do ta shohim në të ardhmen Kosovën dhe Metohinë, çfarë mund të marrim, pa qenë të detyruar që ta njohim pavarësinë e Kosovës”, thotë Vladimir Gjukanovic, deputet i Partisë së Përparimit në pushtet. Edhe ai, si Vuçiç-i, ka qenë më parë një nacionalist ekstremist. “Kosova dhe Metohija” – emri zyrtar i “provincës së pabindur” konsiderohet si deklaratë politike. Ky togfjalësh ka qenë i detyrueshëm për të gjithë ata që kanë pasur njëfarë pushteti në Beograd.

“Ky gënjim i vetvetes ofron mundësi për populizëm”, mendon Dragoljub Micunovic, një nga anëtarët më të vjetër të Partisë Demokratike në opozitë. Me këtë, deputeti më i vjetër i vendit kritikon edhe kreun e partisë së tij, që e përsërit me zell formulën magjike “Kosova është Serbi”. “Politikanët e paraqesin veten si mbrojtës të së përgjithshmes – ekonominë tonë, kulturën dhe të tjera ata nuk mund t’i shpëtojnë, por Kosovën po! Kjo mbrojtje e Kosovës nuk ka nevojë për dëshmi, mjafton tregimi.”

Shqiptarët e Kosovës po merren aktualisht me veten – në Kosovë po punohet për një qeveri të re – por në përgjithësi tregojnë pak entuziazëm për atë që dëgjohet nga Serbia. Po nuk përfundoi me njohjen e pavarësisë, dialogu brendaserb është i kotë, shkroi në Twitter ministri i Jashtëm në largim i Kosovës, Enver Hoxhaj. /DW/
Shtuar më 17/08/2017, ora 11:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori