"Nuk ka Maqedoni pa Prokurorinë Speciale"
Krijimi i Prokurorisë Speciale Publike ishte në një ndër pikat më të rëndësishme të Marrëveshjes së Përzhinos, e cila do të ishte pikë kyçe për daljen nga kriza të Maqedonisë.

Ajo u nënshkrua nga katër partitë politike më të mëdha në Maqedoni, OBRM-PDUK, LSDM, BDI dhe PDSH. Bisedimet gjatë marrëveshjes u zhvilluan nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve, gjegjësisht Peter Vanhoutte.

PSP kishte mandat 18 mujor për shqyrtimin e rasteve që dolën nga aferat e përgjimeve, por ajo deri më tani është përballur me pengesa politike, veçanërisht nga OBRM-PDUKM, e cila nuk pajtohet me vazhdimin e mandatit të PSP-së.

Pushteti në Maqedoni sipas ekspertes dhe profesoreshës juridike, Besa Arifi, nuk ka treguar gatishmëri që të përballet me akuzat korruptive.

"PSP deri tani është përballë me shumë sfida që kanë treguar pagatishmerinë ndaj këtij institucioni, apo mungesën e gatishmerisë së këtij pushteti që të përballet me akuzat për format e rënda të kriminalitetit dhe të cilat lidhen në veçanti me korrupsionin dhe praktikat korruptive.

Në një shoqëri përderisa nuk ekziston përgjegjësi penale për veprat e tilla penale, nuk mund të flitet për stabilitet dhe herë do kurdo përsëri do të paraqiten probleme të cilat lidhen me këto vepra dhe me papërgjeshmërinë e personave, veçanërisht të cilët janë në funksione të larta shteterore.

Prandaj puna e PSP-së është shumë e rëndësishme dhe sigurisht që e njëjta të vazhdojë pa pengesa që janë bërë deri tani. Për tu bërë kjo, së pari duhet që të vazhdohet mandati i saj që të ngriten aktakuza dhe duhet të bëhen disa ndryshime në legjislacion për t’i mundësuar PSP-së që të mbrojë dëshmitarët e saj dhe të ketë hulumtime më të mira të rasteve të cilat i heton.

Një qeveri stabile nuk mund të ekzistojë, në qoftë se nuk ekziston kjo përgjegjësi për të cilën flas", ka thënë analisti Arifi për "Telegrafin".

"Nëse flasim hipotetikisht, Prokuroria Speciale është themeluar për shkak të mosbesimit te institucionet gjyqësore, tek Prokuroria edhe te gjykata, por nuk kishte shumë guxim që subjektet politike të krijojnë Gjykatë speciale por vetëm Prokurori speciale dhe rezultatet tani shihen te Prokuroria speciale.

Natyrisht i proceson lëndët deri te Gjykata dhe ajo përsëri bën pengesa. PSP është themeluar për një gjendje të caktuar, të përkohshme sepse edhe mandati i saj është i përkohshëm dhe supozohet se do t’i përfundojë mandati dhe institucionet gjyqësore do e vazhdojnë punën e tyre.

Ajo kërkon ndryshime rrënjësore. Mos-ekzistimi i Prokurorisë Speciale nënkupton punën e saj që e ka bërë, ta vazhdojë me të njëjtin kapacitet, me të njëjtat aftësi, me të njëjtin seriozitet, Prokuroria e Pergjithshme.

Dhe situatë të këtillë momentalisht nuk kemi dhe derisa nuk kemi situate të këtillë, zgjidhja më e mirë e momentit është që t’i vazhdohet mandati PSP-së", ka thënë Bekim Kadriu.

Kadriu thotë se PSP mund edhe të mos ekzistojë por sipas kthetrave politike, zgjidhje tjetër nuk ka, përveç se t'i vazhdohet mandati.

"Në një situatë 'normale' Prokuroria Speciale mos të ketë nevojë të ekzistojë dhe natyrisht të gjitha lëndët që ajo i ka inicuar por edhe raste tjera që dalin nga përgjimet të mund të inicohen dhe të vazhdohen nga Prokuroria e Pergjithshme.

Kjo ështe tendenca, mirëpo momentalisht ajo gjë nuk është e mundur përshkak se ende Prokuroria e Përgjithshme, edhe Gjykata, Këshilli gjyqësor, Këshilli i Prokurorëve, shihet qartë se janë të ndikuara nga politika dhe kjo gjë do të vazhdojë nëse OBRM-PDUKM do të formojë qeveri dhe rreziku është që obstruksionet ndaj PSP-së të vazhdojnë edhe më tutje", thekson Kadriu.

PSP-ja deri më tani, përveç OBRM-PDUKM-së, të gjitha partitë tjera politike në Maqedoni si dhe nga ana e ndërkombëtarëve është përkrahur që të vazhdojë punën e saj pa pengesa. /albeu.com/

Shtuar më 27/01/2017, ora 16:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori