Osmani nga Brukseli: Presim hapjen e negociatave
Ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov dhe zëvendëskryetari i Qeverisë për çështje evropiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës në Bruksel morën pjesë në mëngjes pune me ministrat për punë të jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, nën organizimin e Greqisë dhe Rumanisë.

Në mëngjesin e punës, ministri Dimitrov brifoi për arritjet aktuale në kontekstin e euro-integrimeve, për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, si dhe për pritjet e përgjithshme nga vendet anëtare në drejtim të marrjes së vendimit për fillimin e negociatave aderuese në qershor të këtij viti, njofton Pres shërbimi qeveritar.

“Puna jonë është që të ju bindim se atë që e kemi sot në Maqedoninë e Veriut është mundësi për BE-në. Qëllimi ynë është të transformohemi dhe të bëhemi evropian në mënyrën se si funksionon sistemi ynë. Dekadave të fundit Evropa po ndryshon vazhdimisht, duke u bërë në një farë mënyre një forcë shtytëse që ne duhet të ndjekim. Por, interesat tona mbeten të njëjta – na nevojitet fuqia transformative e BE-së për krijimin e një Ballkani evropian, më stabil dhe më prosperues“, tha ministri Dimitrov.

Në mëngjesin e punës, fjalë rasti kishte edhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani, i cili shqyrtoi dinamikën dhe cilësinë e zbatimit të reformave, sipas Planit 18, që pasqyron udhëzimet dhe konkluzionet e samitit të vjetshëm të Këshillit të BE-së që u mbajt në qershor.

“Republika e Maqedonisë së Veriut, krahas suksesit jashtëzakonisht të madh në adresimin e çështjeve të hapura politike – Marrëveshjes së Prespës me Republikën e Greqisë dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë, në asnjë moment nuk lejoi uljen e fokusit të vendeve të agjendës reformuese. Kemi dinamikë solide të implementimit të reformave të Planit 18, dhe progres serioz në të gjitha fushat e definuarа: sundimit të së drejtës, shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës, reformave në administratën publike dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi Osmani.

Ai ka shprehur shpresën se kjo dinamikë reformuese do të jetë objektivisht e theksuar në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian, që përsëri do të paraqet bazë për konfirmimin e vendimit nga ana e Këshillit të Evropës në qershor, për fillimin e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut këtë vit.
Shtuar më 18/03/2019, ora 12:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori