“Femrat e abuzuara i damkosim si k*rva”, Tuna mesazh të fortë për shoqërinë

Këngëtarja e njohur Tuna, me anë të një postimi në Instagram është bërë bashkë me gjithë protestuesit në lidhje me abuzimet seksuale.

Ajo shkruan se abuzimi i femrave fatkeqësisht nuk është lajm i ri, pasi abuzohen çdo ditë. Në familje, shoqëri, punë dhe shkollë. Po ashtu Tuna bën thirrje që pedofilia dhe përdhunimi të mos trajtohet si vese por si krime.

“Besoni Viktimën jo Abuzuesin! Abuzimi i femrave ne Shqipëri nuk është lajm i ri. Femrat abuzohen çdo ditë. Në familje, shoqëri, punë e shkollë. Femrat abuzohen që kur lindin, që kur u thuhet “të ka baba çun” se ky është kompliment!

Femrat abuzohen sa herë që ju thuhet “Ai nuk ka faj, ai është mashkull, ai atë natyrë ka! Por ti ki kujdes! Ti mos…” Femrave ju thuhet vetëm “Mos”! Mos kthe fjalë se je femër! Mos shaj! Mos u vish kështu, mos u ashtu! Se po i bere këto e të përdhunuan fajin e ke ti! Femrat ne i abuzojmë sa herë që kriminelë që i përdhunojnë, rrahin, shantazhojnë i nxjerrim të lirë rrugëve. U japim një mundësi të dytë, të tretë, të katërt, për të krijuar më shumë viktima!

Kurse femrat që u abuzuan i damkosim si “kurva”. Kjo duhet të marrë fund! Turp nuk duhet të ketë viktima, duhet të ketë abuzuesi! Frikë nuk duhet të ketë viktima duhet të ketë abuzuesi! Nuk duhet të mësohet femra të ketë kujdes, duhet të mësohen meshkujt që trupat e femrave nuk janë pronat e tyre private. Boll e trajtuam përdhunimin e pedofilinë si vese! Janë krime e si të tilla duhen dënuar e gjykuar, moralisht e ligjërisht”, ka shkruar ajo.


Shtuar 6.06.2020 08:11