Biden konfirmon vrasjen e liderit të grupit militant ISIS

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, përmes një deklarate ka konfirmuar vrasjen e njërit prej liderëve kryesor të grupit militant Shteti Islamik në Siri.

Në deklaratën e presidentit amerikan, konfirmohet se trupat amerikane kanë vrarë në Siri, liderin e IS-it, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi.

“Falë aftësive dhe trimërisë së forcave tona të armatosura, ne kemi hequr nga fushëbeteja Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi – liderin e ISIS. Të gjithë amerikanët janë kthyer shëndoshë e mirë nga operacioni”, thuhet në deklaratën e lëshuar për media nga zyra e presidentit Biden.

Biden ka bërë të ditur se operacioni është kryer nën drejtimin e tij dhe se është zhvilluar në veriperëndim të Sirisë.
Sipas presidentit amerikan, Biden, trupat amerikane kryen të operacion të kundërterrorizimit me qëllim që bota të jetë një vend më i sigurt.

Pas vrasjes së Abu Bakr al-Baghdadi më 27 tetor, 2019, grupi militant IS kishte shpallur për lider të ri, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshin.

Më 19 dhjetor, 2018, asokohe presidenti amerikan, Donald Trump, kishte shpallur fitoren mbi grupin militant Shteti Islamik. Por grupe të IS-it kishin vazhduar të kontrollonin disa territore brenda Sirisë.

Më 23 mars, 2019, zyrtarisht IS-i humbi kontrollin mbi territorin e fundit që kishte nën kontroll në Baghouz.
Një numër i madh i pjesëtarëve të IS-it u arrestuan dhe ende vazhdojnë të mbahen nëpër burgje të ndryshme në Siri./REL


Shtuar 3.02.2022 14:36

Tags: , ,