Opozita nuk e ka numrin e votave për ta rrëzuar Qeverinë
Në deklaratat e tij, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, është shprehur se të mërkurën, kur sipas rregullores duhet të mbahet seanca e votëbesimit, Qeveria aktuale e Zoran Zaevit do të bjerë.

Edhe pse për këtë do t’i duhet shumicë votash prej 61 deputetësh. Ndërsa, është e ditur se VMRO-DPMNE me koalicionin e saj në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, fitoi vetëm 51deputet.

Mirëpo, Amdi Bajram nga Lidhja e Romëve të Maqedonisë, Jusuf Hasani nga Partia Demokratike e Turqve dhe Panço Minov nga GROM veçmë janë larguar nga koalicioni me VMRO-DPMNE-në. Po ashtu, VMRO-DPMNE-së, do ti mungojnë edhe deputetët të cilët janë të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit, por edhe një deputete e cila është në pushim të lindjes.

Sipas kësaj situate, VMRO-DPMNE nga partia e saj dhe partnerët e koalicionit do të ketë në dispozicion vetëm 41 vota.

Nga ana tjetër, LSDM në zgjedhjet e parakohshme parlamentare fitoi 49 deputetë. Ndërsa, shumicën parlamentare për formimin e Qeverisë e bëri në koalicion me 10 deputetët e BDI-së dhe tre të Aleancës për shqiptarët, e cila më vonë u tërhoq nga Qeveria. Qeverisë së Zoran Zaevit mbështetje për ligjet reformatore të cilat do ti hapin vendit rrugën e anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO i dhanë edhe pesë deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes BESA.

Kështu që sipas rregullores për punën e Kuvendit Seanca për interpelancën e Qeverisë do të duhet të mbahet të mërkurën, ndërsa gjasat që VMRO-DPMNE të mund të rrëzojë Qeverinë janë shumë të vogla, duke marrë parasysh faktin se i duhen 61 deputetë. /albeu.com/
Shtuar më 09/04/2018, ora 18:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori