Opozita kërkon dorëheqjen e Jankullovskës
Parlamenti maqedonas
Në seancën e sotme parlamentare, deputetët e opozitës maqedonase akuzuan kryeministrin Nikolla Gruevski për përkeqësimin e situatës së sigurisë pas vrasjes së pesëfishtë në afërsi të fshatit Smillkovc të Shkupit.


Igor Ivanovski nga LSDM-ja kërkoi nga Gruevski të shkarkojë ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska. Ai tha se situata e sigurisë është kritike pasi qytetarët kanë frikë dhe janë të pasigurt për sigurinë e tyre. Ivanovski akuzoi funksionarët e lartë të MPB-së se janë zhytur në kriminalitet, raporton Zhurnal.


" Maqedonia është në shok nga vrasja e pesëfishtë. Kjo në mënyrë tektonike e solli në pikëpyetje sigurinë e vendit. Zoti kryeministër njerëzit tuaj në MPB janë në luftë mes vete për kontroll të biznes krimeve dhe kontroll të territoreve. Në vend që Jankullovska të japë dorëheqje ajo ende bën politikë ditore. Detonatori është ‘boomerang’ i VMRO-DPMNE-së. A do ta shkarkoni pas gjithë kësaj ministren Jankullovska", pyeti deputeti Ivanovski kryeministrin Gruevski, citon Zhurnal.

Në përgjigjen e tij, kryeministri Gruevski fillimisht shprehu ngushëllime familjeve të të vrarëve duke theksuar se MPB dhe kompetentët e kësaj ministrie po punojnë natë e ditë për zbardhjen e këtij akti mizor dhe për zbulimin e shpejtë të autorëve.

“MPB me të gjitha forcat dhe kapacitetet natë e ditë punon për zbardhjen e këtij rasti. Unë thellë besoj në kompetentët e MPB-së se shumë shpejtë do të zbulojnë autorët e këtij akti makabër”, deklaroi Gruevski. /albeu.com/
Shtuar më 19/04/2012, ora 14:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori