Ohër, përfundon konferenca dyditore
Në Ohër ka përfunduar Forumi dy ditorë për drejtësi dhe Punë të Brendshme në të cilin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë debatuan për sfidat e përbashkëta që i presin vendet e tyre deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Gjatë kësaj konference me përvojat dhe sugjerimet e tyre u paraqitën përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian në krye të së cilës ishte komisarja për Punë të Brendshme Sesilia Mallmstrong dhe zyrtarë tjerë lartë të Komisionit Evropian nga sfera e drejtësisë dhe sigurisë .

Në dytën e dytë të kësaj konference ministrat e drejtësive të vendeve të Ballkanit Perëndimorë kanë debatuar për reformat dhe obligimet që kanë marë ata nga KE-ja. Pavarësia e gjyqësisë dhe prokurorisë, bashkëpunimi juridik në kontestet penale dhe civile, si dhe përparimi i bashkëpunimit me EUROJUST-in, kanë qenë temat në dytën e dytë të forumit të Ohër. Ministri i drejtësisë Blerim Bexheti në fjalimin e tij duke folur për sistemin gjyqësorë dhe reformat e këtij dikasteri tha se pavarësia e sistemit gjyqësor është shtylla kryesore e rregullimit juridik, që bazohet në parimin e sundimit të së drejtës dhe funksionimit të shtetit juridik. “Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe Ministria e Drejtësisë, si bartës kryesorë të aktiviteteve reformatore, vëmendje të posaçme u kushton përmbushjes së kritereve dhe standardeve në sferën e jurisprudencës.

Në këtë drejtim, për zbatimin e suksesshëm të reformave, si prioritet para neve janë vendosur tri synime kryesore: Përforcimi i pavarësisë së gjyqësisë, Rritja e efikasitetit dhe Kompletimi i tërësishëm me pajisje dhe ekipimi shtesë me kuadro në institucionet e gjyqësorit. Integrimi i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO është synim strategjik dhe prioritet bazë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Por, stabiliteti i institucioneve, garantimi i demokracisë, sundimi i së drejtës, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të bashkësive si pjesë e kritereve të Kopenhagës janë kushtet që duhet t’i plotësojmë tërësisht në rrugën për aderim në këtë familje të madhe evropiane.”, ka deklaruar Bexheti, sipas të cilit institucionet e gjyqësorit luajnë rolin kryesor në realizimin e drejtësisë dhe janë garanci themelore për të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

“Në vitet e kaluara janë miratuar më shumë se 100 ligje nga sfera e jurisprudencës. Po ashtu, në këtë periudhë u themeluan 10 institucione të reja të jurisprudencës, të cilat u ekipuan dhe janë funksionalë. Progres të rëndësishëm kemi arritur edhe në sferën e teknologjisë informative. Është vendosur sistem i ri i automatizuar informativ për menaxhim me lëndët gjyqësore , i cili mundëson evidentimin dhe punën me lëndët gjyqësore dhe ndërlidhja me dokumentet e jashtme hyrëse me lëndën adekuate gjyqësore. Në drejtim të rritjes së transparencës së institucioneve të gjyqësorit në ueb faqen e gjykatave në vazhdimësi publikohen vendimet gjyqësore dhe aktvendimet ku qytetarët kanë akses në çdo kohë”, ka thënë Bexheti.

Ministri Bexheti pritit homologun e tij nga Shqipëria dhe Mali i Zi

Në margjina të konferencës në Ohër në ditën e dytë ministri Bexheti , ka realizuar takim e bilaterale me homologun e tij nga Shqipëria Eduard Halimi, me të cilin kanë biseduar për sfidat që I presin të dyja vendet në rrugën drejt BE-së. Të dy ministrat gjatë këtij takimi kanë ngritur iniciativën për thellimin e bashkëpunimit në sferën e ekstradimit të qytetarëve. Ndërkohë Ministri Bexheti sot ka nënshkruar marrëveshje me ministrin drejtësisë të Malit të Zi. (INA)
Shtuar më 04/10/2011, ora 19:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori