Nxënësit vazhdojnë bojkotin, duan takim me ministrin Ademi
Plenumi i nxënësve të shkollave të mesme nuk i kthehet mësimit derisa të fillojnë bisedimet me Ministrinë e Arsimit. Nxënësit e shkollës së mesme "Nikolla Karev" akuzojnë drejtoreshën se i ka penguar ata të bojkotojnë mësimin.

"Bojkoti fillimisht u mbajt nëpër korridore e shkollës, por më pas drejtoresha kërkoi që të largohemi duke na sugjeruar ose të kthehemi në mësim ose të dalim jashtë. Në dolëm jashtë, njoftuam mediat se drejtoresha na ka nxjerrë jashtë duke u kërcënuar se po që se qëndrojmë brenda do të thërrasë policinë", tha për Alsat-M një anëtar i Plenumit.

Sigurimi pengoi ekipin tonë që të hyjmë në shkollë për të biseduar me drejtoreshën. Ndërkohë nxënësit insistojnë për takim me ministrin e arsimit Abdilaqim Ademin.

"Kërkesat tona mbeten të njëjta, të kthehet koncepti i vjetër i testimit në maturë shtetërore, që do të thotë matematika mos të jetë lëndë e detyrueshme. Kërkesa tjetër është që testit t’i maturës t’i nënshtrohemi me shkrim dhe jo në mënyrë elektronikë, pasi që konsiderojmë se nuk ka efekt", është shprehur një tjetër.

"Ne ende jemi të qëndrimit se duhet të takohemi me ministrin. Pavarësisht se ai thotë se dyert e MASH-it janë të hapura, ne nuk shohim një gjë të tillë. Tashmë gati një muaj e kërkojmë një gjë të tillë. Gjithsesi shpresojmë për një takim gjatë kësaj jave", tha një tjetër anëtar i Pleniumit.

Nga Ministria e Arsimit thonë se ende nuk është caktuar takim me nxënësit. Nga ky dikaster apelojnë që nxënësit të kthehen në mësim. /albeu.com/
Shtuar më 07/04/2015, ora 15:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori