Numri i madh i të infektuarve, mbeten të mbyllur kufijtë e BE-së për Maqedoninë e Veriut
Gjatë 24 orëve të kaluara, regjistrohen 126 raste të reja me Kovid-19 në vend, duke përfshirë një të porsalindur dhe nënën e tij nga Shtipi, si dhe katër infermiere dhe tre motra medicinale nga Reparti gjinekologjik dhe obstetrik i Prilepit. Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve të rinj gjatë ditëve të fundit, vendi nuk i plotëson kriteret epidemiologjike të Bashkimit Evropian dhe kufijtë mbeten të mbyllur për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Sipas vendimeve të BE-së, Greqia ka vazhduar ndalimin e hyrjes në territorin e saj për shtetasit e Maqedonisë së Veriut, kështu që edhe pse vendkalimi kufitar “Evzoni” do të hapet sot, kalimet do të lejohen vetëm për arsye thelbësore, pra për familjarët e shtetasve evropianë të punësuar në sektorin shëndetësor, personat që kujdesen për të moshuarit, punëtorët sezonal në sektorin e bujqësisë, punëtorët e transportit, diplomatët, personelin ushtarak ndërkombëtar, punëtorët humanitarë në detyrë, udhëtarët transit, udhëtarët që udhëtojnë për arsye të nevojshme familjare, studentët. Rishikimi i vendimit u paralajmërua për 15 ditë bazuar në gjendjen epidemiologjike.

Më shumë nga të infektuarit e rinj me koronavirus janë nga Shkupi edhe atë: Shkup-66, Kumanovë-6, Shtip-15, Prilep-3, Tetovë-19, Strugë-2, Veles-2, Manastir-1, Kavadar-4, Gostivar-2, Probishtip-2, Shën Nikollë-1, Resnjë-3.

Kanë vdekur katër pacientë, nga një në Shkup, Prilep, Tetovë dhe Gostivar. Instituti për Shëndet Publik ka regjistruar 48 pacientë të shëruar nga: Shkupi-43, Shtipi-1, Manastiri-1, Resnja-3, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Kovid-19 nga fillimi i epidemisë arrin 6.334, numri i pacientëve të shëruar është 2.475, të vdekur janë 302, ndërsa për momentin numri i rasteve aktive në vend është 3.557.

Kryetari i Komunës së Gostivarit dhe Sekretar i përgjithshëm i partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari paralajmëron për përkeqësimin e situatës me pandeminë në vend pas zgjedhjeve dhe si shkas për këtë e theksoi mosrespektimin e protokolleve për mbrojtje kundër përhapjes së virusit gjatë fushatës parazgjedhore.

“Përshtypja ime është dhe për fat të keq mund të konstatoj se pothuajse askush nuk i përmbahet protokolleve. Personalisht dhe në partinë ku jam anëtar, e respektojmë dhe ruajmë distancën e përcaktuar ndërmjet karrigeve, por përsëri ka një grupim njerëzish dhe kjo është shumë shqetësuese. Ky fenomen është i pranishëm jo vetëm në Gostivar, por edhe kudo në vend. Sjellja gjatë fushatës do të japë rezultatet brenda një muaji”, vlerësoi Taravari.
Shtuar më 01/07/2020, ora 10:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori