Ekspertët e Kosovës mësojnë gratë ukrainase për asgjësimin e minave

Dihet se edhe pas përfundimit të luftës shfaqen probleme sigurie. Rasti në fjalë pritet të ndodhë edhe në Ukrainë, pasi trupat ruse pas tërheqjes vendosin mina shpërthyese. Pra jeta normale në disa pjesë të Ukrainës pritet të vijë veç disa vite pas nënshkrimit të armëpushimit.

Rreth kësaj çështje, një reportazhë interesante vjen nga media gjermane “Tagesschau.de”, ku tetë ukrainase, mësojnë në Kosovë për gjetjen dhe neutralizimin e minave.

“Anastasia kishte plane tjera. Deri para sulmit të Rusisë mbi Ukrainë, ajo dëshironte të bëhej mësuese anglishte, të cilën edhe e studionte. Në vend të saj ajo ndodhet me helmetë dhe jelek antiplumb livadheve të Pejës, ku në dorë mban një detektor minash.”

Tetë grate ukrainase marrin mësime teorike dhe praktike nga institucione kosovare, të cilat janë të specializuara për asgjësimin e minave. Mësuesi i tyre është inxhinieri Artur Tigani, që ka përvojë të madhe që nga koha e Jugosllavisë. Tigani vetë ka marrë pjesë në neutralizimin e minave pas Luftës në Kosovë.

40 fusha të minura në Kosovë

Akoma edhe sot në Kosovë ka rreth 40 fusha të minuara – relikte nga luftrat e fundviteve 90-të.

Sipas Tiganit, Rusia sot në Ukrainë vendos mina të njëjta si dikur serbët në Kosovë.

Një punë e rrezikshme, që shpesh zemëron edhe Anastasian, që e kishte tepër të vështirë të gjejë mina në mes të pyllit.

Një rrezik që mbetet

Tre javë rresht ushtrojnë ukrainaset nga ekspertët shqiptarë. Ata kërkojnë të përdorin mundësitë për të ndihmuar më pas vendin e tyre. Ata e kanë të vështirë të flasin për fatet e atdheut të tyre.

Frika më e madhe e tyre, siç thotë Anastasia, është “që kur të rikthehen të mos i gjejnë gjallë njerëzit që i kanë dashur. Çdo ditë zgjohem me shpresën që do lexoj lajme se lufta ka përfunduar.”

Fatkeqësisht vendosja e minave përbën rrezikun më të lartë pas luftës. Rreth 60 shtete ndodhen nën mina të vendosura nga e kaluara ose konfliktet e tanishme. Sipas organizatës “Save the Children” rreth 70 përqind e viktimave prej minave janë civilë, ku gjysma e tyre janë fëmijë./Gazeta Express