"Nënë Tereza i kontribuoi injorancës dhe shtypjes së njeriut"

Anjezë Gonxhe Bojanxhiu ose e njohur për botën si Nënë Tereza, vlerësohet si humanistja më e madhe e botës, por me këtë gjë nuk pajtohet filozofi Sead Zimeri nga Kumanova që vepron në Norvegji.

Zimeri thotë që Nënë Tereza legjitimoi aventurën kapitaliste që e ndan botën në dy taborre: të varfër dhe të pasur.

Ajo, sipas Zimerit shfrytëzoi fenë për ta justifikuar këtë ndarje.

Ai në shpjegimin e tij, nuk e pranon unifikimin me Jezu Krishtin (profeti Isa sipas religjionit Islam) sepse Krishti nuk qëndroi duarkryq, nuk e pranoi dhunën e perandorisë romake, nuk u dekorua me çmimet më të larta të perandorisë por u kryqëzua.

“Një nga arsyet pse Nënë Tereza u bë kaq e famshme është pikërisht sepse ajo legjitimoi aventurat kapitaliste që e ndanë botën në dy taborre: në të varfër dhe të pasur.

Nënë Tereza shfrytëzoi fenë për ta arsyetuar dhe justifikuar këtë ndarje. Ajo kërkoi nga të varfërit jo vetëm që ta pranonin varfërinë por edhe ta donin atë sepse Zoti, sipas saj, i do më shumë të varfërit.

Kështu ajo legjitimoi dhunën, shtypjen dhe barbarizmin e kapitalizmit që i detyroi këta njerëz të jetojnë në varfëri të skajshme. Natyrisht që të pasurit do ta duan, do ta shpërblejnë me çmime dhe para e do ta bëjnë shenjtore.

Nënë Tereza ama duhet të shpallet shenjtore e kapitalizmit, jo e krishterimit sepse Krishti nuk qëndroi duarkryq, nuk e pranoi dhunën e perandorisë romake në heshtje, nuk u dekorua me çmimet më të larta të perandorisë por u kryqëzua, u trajtua si kriminel, si rebel dhe si armik i sistemit perandorak.

Se çfarë e bashkon Nënë Terezën me Krishtin mbetet mister për mua”, shkruan filozofi shqiptar në profilin e tij zyrtar në Facebook. /albeu.com/

Shtuar më 03/09/2016, ora 18:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori