Një EULEX edhe për Maqedoninë?
Në Kosovë, Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) organizon procese gjyqësore ndaj personave të fuqishëm, të cilët supozohet se nuk preken nga sistemi kosovar i drejtësisë

Misioni EULEX ka mbetur në vend edhe pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, ndërsa nga autoritetet ndërkombëtare theksohet se funksionimi i tij nuk e prek sovranitetin e Kosovës, përkundrazi e ndihmon atë.

Megjithëse ka pasur thirrje për largimin e EULEX-it, kryesisht për shkak të inicimit të proceseve gjyqësore për krime lufte ndaj ish-komandantëve të lartë të UÇK-së, misioni evropian nuk vihet në pikëpyetje nga institucionet e Kosovës, për shkak të rolit të theksuar edhe për balancimin e raporteve ndëretnike në vend.

Ndërkohë, a do të duhej që edhe Maqedonia, një vend me specifika më të theksuara etnike sesa Kosova që të kishte një mision të ngjashëm sikurse EULEX-i? Përderisa shqiptarët në Maqedoni kërkojnë që punësimet në administratë duhet të bëhen sipas përqindjes etnike, këtë e garanton edhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit për shkak se shqiptarët janë grupi i dytë më i madh etnike pas maqedonasve. Përgjegjësia më e madhe në këtë pikë bie mbi partinë shqiptare në pushtet, BDI-në, e cila edhe më tej nuk ka arritur të ndikojë në institucionet shtetërore që kjo përqindje të arrihet.

Por, meqënëse partia shqiptare në pushtet nuk ka arritur që deri tash të sigurojë 25 % e punësimeve, do të ishte e nevojshëm një mision ndërkombëtar i cili do të siguronte punësimin e drejtë dhe të drejtat e tjera për shqiptarët edhe komunitetet pakicë. Ish-diplomati Alajdin Demiri thekson se në kuadër të reformave, si nevojë e brendshme e Maqedonisë dhe si kërkesë e bashkësisë evropiane, reformat më pak të realizuara janë ato në sferën e drejtësisë dhe të gjyqësisë.

Kjo për arse se që prej mënyrës se si zgjidhen dhe si funksionojnë anëtarët e sistemit gjyqësor gati se pamundësohet pavarësia e sistemit. Demiri thotë se pikërisht për këtë arsye duhet që të ketë një ndihmë ose një monitorim, qoftë nga bashkësia evropiane ose institucionet e tjera.

"Nëse eventualisht fillojnë negociatat e Maqedonisë me Bashkimin Evropian, në kuadër të këtyre negociatave, gjithsesi se është shumë i rëndësishëm sektori i gjyqësisë së pavarur. Shpresoj se në kuadër të reformave të ketë edhe trajnime reale nga Këshilli i Evropës dhe organet tjera të cilat janë të specializuara në këtë sferë. Tash, varet nëse do të jetë mision sikur EULEX-i në Kosovë ose ndonjë mundësi tjetër më produktive për nevojat e Maqedonisë", ka thënë Demiri, për "Zhurnal plus".

Megjithatë, sipas Demirit, dërgimi i një misioni me kompetenca të plota sikurse EULEX-i në Kosovë do të ishte i rëndë sepse më parë do të duhej që të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa në Maqedoni me asnjë kusht nuk duan që të shpallet gjendje e tillë e jashtëzakonshme.

Misioni ndërkombëtar, kafshatë që zor kapërdihet nga Maqedonia! Edhe njohësi i zhvillimeve në sektorin e drejtësisë, Bekim Kadriu, thekson se kësaj iniciative në vokabularin popullor mund t'i thuhet kafshatë e madhe që vështirë të përpihet. Ai thotë se një mekanizëm i cili do të monitoronte funksionimin e pushtetit gjyqësor, përmbushjen dhe plotësimin e kritereve për euro-integrimet do t'i vinte në pikëpyetje të gjitha kapacitetet e shtetit.

"Kjo nuk besoj që do të pranohej nga Republika e Maqedonisë. Nëse do ta pranonte këtë do të vinte në kundërshtim me pretendimet e veta se reformat bëhen se pushteti gjyqësor, edhe pse ka defekte, megjithatë funksionon", ka thënë Kadriu, për "Zhurnal plus".

Një mision evropian nga aspekti i efikasitetit do të mund të ishte i dobishëm, por është çështje se a do të duhej të rregullohej shumë mirë me ndonjë marrëveshje ndërkombëtare me legjislativë pozitive, për shkak se duhet që të dihet qartë se ndarja e kompetencave ndërmjet institucioneve të vendit dhe këtyre mekanizmave ndërkombëtarë, të cilët do të duhej që të monitoronin procesin.

"Në rastin konkret, Bashkimi Evropian ka përcaktuar kritere dhe kushte të cilat do të përmbusheshin në kuadër të funksionimit të pushtetit gjyqësor. Kur do të anëtarësohej Maqedonia në Bashkimin Evropian dhe qytetarët evropianë do të kenë të drejtë që të vijnë edhe në Maqedoni, për çdo paraqitje para gjykatave, të gjithë shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian, duhet që t'u garantohen standarde të njëjta para procedurave gjyqësore. Prandaj janë përcaktuar kriteret", thekson Kadriu.

Ai nuk beson se faktori ndërkombëtar do të merrte ndonjë hap dhe ta detyrojnë Maqedoninë që ta përmirësojë pushtetin gjyqësor. Thjesht, ata rrinë anash dhe monitorojnë.

Ndërkohë, ish-diplomati Denko Maleski thekson se në parim vendosja e një sistemi të tillë të ngjashëm me EULEX-in në Kosovë mund të llogaritet si kthim prapa për Maqedoninë.

"Sipas logjikës, Maqedonia se si vend kandidat për anëtarësim në NATO dhe BE duhet që të shkojë përpara e jo të kthehet prapa. Megjithatë asnjë mundësi nuk mund të përjashtohet duke marrë parasysh se Maqedonia qëndron një kohë të gjatë në një vend. Kur ti ngec në vend dhe të tjerët ecin përpara, asgjë nuk përjashtohet", ka thënë Maleski, për "Zhurnal plus". /albeu.com/
Shtuar më 08/02/2014, ora 16:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori