Kosova po përgatit padinë për Serbinë, Haxhiu: Është në zyrën e kryeministrit

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës Albulena Haxhiu, deklaroi se Qeveria është duke e përgatitur padinë për krime kundër Serbisë.

“Ne jemi duke punuar për ta paditur Serbinë për krimet që ajo i ka bërë në Kosovë”, tha ajo.

Në lidhje me padinë, ministrja Haxhiu tha se padia për krime kundër Serbisë është në kompetencë të zyrës së Kryeministrit dhe po punohet në këtë drejtim.

“Nuk mund të jap detaje, sepse kjo është në kompetencë të zyrës së Kryeministrit. Por është duke u punuar në këtë drejtim. Është formuar edhe instituti për krime. Krimet e luftës nuk mund të amnistohen, dhe kjo s’ka lidhje me dialogun që po zhvillohet me Serbinë”, tha ajo në ATV.

Lidhur me reformat në drejtësi dhe avancimin e legjislacionit, Ministrja Haxhiu bëri të ditur se brenda këtij muaji Kodi i ri Civil, do të procedohet në kuvend.

“Ne besojmë se, do të votohet. Është një dokument shumë i rëndësishëm për vendin. Shpresojmë që deputetët do ta mbështesin! Po flas për shumicën, për disa deputet që të jemi shumë të unifikuar. Ky, është një hap i mirë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë Haxhiu.