Nimic: Nuk shoh zhvillime dramatike në muajt që vijnë, palët duhet të dialogojnë (VIDEO)
Matthew Nimic ka përfunduar takimet me kryeministrin Zoran Zaev dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, duke shtuar se është larguar i kënaqur me takimet.

Ai thotë se nuk është diskutuar për propozime konkrete, por se inkurajon vazhdimin e debatit ndërmjet të dy vendeve për ta zgjidhur këtë çështje.

"Jam i lumtur që të jem sërish në Shkup, si përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për të diskutuar çështjen e vjetër të emrit. Jam i kënaqur që vëmendja është rikthyer në këtë kontest. Kisha takime të mira këtu me kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme.

Ka interesim serioz dhe vullnet për të menduar për këtë çështje. Dua të shtoj se do të shkoja sot në Athinë, por për shkak se ministri grek është duke u marrë me çështjen e Qipros, nuk nisem andej.

Për t’u zgjidhur problemi duhet përparim nga të dy palët të cilët duhet të mendojnë seriozisht për pozicionet e tyre dhe të dëgjojnë me kujdes njëri-tjetrin. Jam i gëzuar që kryeministri dhe ministri janë mendjehapur për këtë çështje. Le të shohim se si do të rrjedhin zhvillimet më tutje.

Nuk biseduam për propozime konkrete të reja të konceptit të ri për emrin. Qeveria nuk shtroi ndonjë pikëpamje të posaçme, por folëm për shpeshtim të marrëdhënieve të të dy palëve.

Kemi nevojë për periudhë kur të dy palët mund të diskutojnë me njëri tjetrin, të kenë biseda intelegjente. Mendoj se gjërat do të lëvizin, por nuk shoh zhvillime dramatike në muajt që vijnë", deklaroi Nimic për mediat.
Shtuar më 03/07/2017, ora 11:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori