Ngriti kokën kisha e Kalasë së Shkupit
Në Kalanë e Shkupit po ndërtohet Kisha e planifikuar që para disa viteve, por e mbuluar me petkun e muzeut. Mbi themelet e Kishës bizantine po ndërtohet muzeu i kalasë. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore (DMTK), Pasko Kuzman thotë i nervozuar se po ndërtojnë muzeun e kalasë dhe jo atë që mendojmë ne. “Ma keni sjellë në majë të hundës. Muze po ndërtojmë dhe jo atë që mendoni ju”, tha ai për “Lajm”. Kuzman thotë se kanë bërë konservimin e gjetjeve arkeologjike dhe tani po ndërtojnë një muze ku do të ekspozohen të gjitha gjetjet e Kalasë së Shkupit. I pyetur se pse muzeun nuk e ndërtuan në hapësirat e tjera të kalasë, ku nuk ka të zbuluara objekte arkeologjike, por pikërisht mbi themelet e kishës, Kuzman thotë se ju nuk duhet të përziheni në këto çështje. “Ju nuk jeni ekspertë që të më tregoni se ku duhet ta ndërtojmë muzeun, se cila hapësirë është më e mirë”, tha Kuzman, edhe pse “Lajm”, vetëm pyeti dhe nuk sugjeroi gjë.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës Nacionale për Konservim, Behixhudin Shehapi thotë se fakti që maketi i ngjan një kishe dhe ndërtohet mbi themelet e kishës së zbuluar në kala është mjaft indikativ. “Bëhet fjalë për një maket ku do të vendosen të gjitha artefaktet që janë zbuluar ne kala. Është mjaft indikativ, pasi ai maket bëhet në themelet e kishës bizantine, që nuk ka qenë në program. Edhe pse ne si institucion nuk kemi lidhje me këtë ndërtim, kam të drejtë të interesohem për të. Morëm vesh se maketi do të jetë pjesë e pjesë e muzeut arkeologjik por që ngjan si kishë. Konstruksioni është prej hekuri e më pas do të mbulohet me ndonjë material tjetër”, sqaron Shehapi.

Për kishën në Kala kanë reaguar Lëvizja Qytetare “Zgjohu” dhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë (SHHSHM). “Është e qartë se ekspedita ndëshkuese e Pasko Kuzmanit në Kalanë e Shkupit dhe kundër kulturës autentike iliro-shqiptare nuk ka të ndalur dhe sa vjen e shtohet. Ne kemi alarmuar për gërmimet përjashtuese dhe politike në Kalanë e Shkupit që nga viti 2007 dhe ky projekt i ka paraprirë ‘Shkupit 2014’ me tendencë të maqedonizimit të kryeqendrës”, tha kryetari i “Zgjohu”-t, Artan Grubi. Ndërsa historianët shqiptarë thanë se dilemat e shprehura prej tyre para disa viteve, fatkeqësisht po realizohen. “E gjithë kjo bëhet që kjo kështjellë të humbasë primatin autokton iliro - arbëror dhe të marë ngjyrim sllavo-ortodoks, gjë që është në vazhdën e asgjësimit të etnokulturës ilire në Maqedoni”, tha kryetari I SHHSHM-së, Skënder Hasani.

Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgim isë Kulturore në bashkëpunim me Entin e qytetit të Shkupit po ndërton një muze në Kalanë e Shkupit, mbi themelet e kishës bizantine të zbuluar gjatë gërmimeve në vitin 2007-2008. Muzeu do të ketë formën e një kishe. (lajm)
Shtuar më 27/01/2011, ora 18:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori