Greqia regjistron rastin e parë me virusin e Nilit Perëndimor

Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik  në Greqi (EODY) bën me dije se rasti i parë i infektimit me virusin e Nilit Perëndimor  për periudhën e transmetimit 2022 është diagnostikuar në vend, në Njësinë Metropolitane të Selanikut.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht nga pickimi i mushkonjave “të zakonshme”, të cilat janë të infektuara nga zogjtë e infektuar (specie të caktuara, kryesisht zogj të egër). Njerëzit e infektuar nuk e transmetojnë më tej virusin te mushkonjat e tjera.

Shumica e njerëzve të infektuar me virus nuk sëmuren fare ose kanë vetëm simptoma të lehta, ndërsa shumë pak njerëz (<1% e të infektuarve) zhvillojnë simptoma të rënda që prekin sistemin nervor (kryesisht encefalit ose meningjit). Njerëzit mbi 50 vjeç janë më të rrezikuar të sëmuren rëndë, si dhe personat me imunitet të dobët apo me sëmundje kronike themelore.

Shpërthimet e infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor ndodhin në shumë vende të botës, si dhe në shumë vende evropiane, çdo vit. Nga viti 2010 e në vazhdim rastet shfaqen pothuajse çdo vit (dhe) në Greqi, në rajone të ndryshme, gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës. Ndërkohë në vendin tonë, Shqipëri, nuk është regjistruar ende ndonjë rast./albeu.com