Coutinho, transferimi rekord i Barcelonës që u bë i padëshirueshëm në “Camp Nou”

Para fillimit të këtij edicioni, të gjithë te skuadra e Barcelonës besimin e kishin te një lojtar pas largimit të Lionel Messit. Madje, edhe Ronald Koeman që ishte në krye të ekipit, me besim të plotë insistonte se në sezonin 2021/22, mesfushori brazilian Philippe Coutinho do ta bënte dallimin te Barcelona. Me një fjalë, Koeman pati insistuar se loja e Barcelonës do të mbështetet te Coutinho.

“Këtë sezon do të mbështetemi shumë te Coutinho, i cili sezonin e shkuar nuk pati mundësi të shfaqte cilësitë e tij për shkak të lëndimit. Pritjet i kam të mëdha prej Coutinhos, sepse është një lojtar i madh, saktësisht do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Ai mund të luajë në shumë pozita në sulm. Tani që jemi pa Messin do të na mungojnë golat, por Coutinho është ai që do të na gjejë mënyrën për të shënuar”, ishin fjalët e Koemanit.

Megjithatë, Koeman gaboi në parashikimin e tij dhe Coutinho nuk e ngjalli Barcelonën që pati një start të dobët, i cili i kushtoi trajnerit holandez me shkarkim. Edhe trajneri i ri i Barcelonës, Xavi Hernandez, pati pritje të mëdha nga Coutinho, duke thënë se ai mund të jetë lojtar i rëndësishëm për të. Mirëpo Coutinho është i pari në listën e lojtarëve që pritet të largohet nga Barça në afatin kalimtar të janarit për shkak se nuk bindi me paraqitjet e tij. Deri më tani, ai ka shënuar dy gola në 14 paraqitje në të gjitha garat, në të cilat kryesisht është inkuadruar nga banka e rezervistëve. Ish-ylli i Liverpoolit është larg formës që e kishte tek ekipi anglez dhe prej lojtarit të tretë më të shtrenjtë në botë është shndërruar në futbollistin më të padëshiruar.

Ëndrra e shndërruar në makth

Katalizatori për ardhjen e Coutinhos në Barcelonë në janar të vitit 2018 ishin dy largimet kyç – lëvizja tronditëse e Neymarit në Paris Saint-Germain në gusht të vitit 2017 dhe njohuria se ikona e klubit Andres Iniesta do të largohej nga klubi. E ngarkuar me 222 milionë euro nga shitja e detyrueshme e Neymarit, Barça nuk e fshehu kurrë faktin që Coutinho ishte objektivi i saj numër një për t’u bërë “Iniesta i ri” apo “Neymari i ri”. Liverpooli në fillim rezistoi, por në fund u dorëzua përballë ofertës prej 135 milionë eurosh, duke lejuar Coutinhon të realizojë ëndrrën e tij për t’u transferuar në “Camp Nou”. Por ëndrra shpejt u bë një makth. Coutinho nuk i përshtatej asnjërit prej roleve të reja të pritura te klubi spanjoll. Ai donte të luante më përpara sesa roli i disiplinuar i Iniestas në mesfushë dhe më në qendër se ai i krahut të majtë të Neymarit.

Në vend të kësaj, ai preferoi të bredhë më shumë në zonën qendrore dhe të gjejë hapësirë midis linjave të mesfushës kundërshtare dhe mbrojtjes. Por Barça tashmë kishte dikë që e përmbushte atë rol dhe nuk kishte asnjë mënyrë që Coutinho të uzurponte ndonjëherë vendin e Lionel Messit si krijuesi kryesor i skuadrës.

Kështu që, Coutinho përfundoi në përgjithësi duke penguar Messin, duke prishur ritmin e skuadrës, duke marrë shumë prekje dhe duke u reduktuar në goditje shpresëdhënëse nga distanca, gjë që rezultoi me vënien e nofkës qesharake “Shootinho”.

Huazimi te Bayerni, lëndimi pas kthimit në Spanjë

Ardhja e Antoine Griezmannit në korrik të vitit 2019 pengoi më tej shpresat e Coutinhos për t’u bërë një lojtar kyç dhe ai u largua te Bayern Munichu në formë huazimi, që te Barcelona shpresonin se do të çonte në shitje të përhershme. Por Coutinho nuk ishte më shumë se një lojtar mesatar në Gjermani, duke qenë titullar në më pak se gjysmën e ndeshjeve të Bayernit. Pika kryesore e magjisë së tij erdhi në Ligën e Kampionëve kundër askujt tjetër përveç klubit të tij mëmë Barcelonës, ku shënoi dy herë në fitoren e thellë të bavarezëve 8:2 në çerekfinale. Bayern refuzoi mundësinë për të nënshkruar me Coutinhon përgjithmonë, duke preferuar të shpenzojë buxhetin e reduktuar nga Covid-19 për transferimin Leroy Sanet nga Manchester City, kështu që braziliani u kthye në Barcelonë në verën e vitit 2020. Ai e gjeti klubin në një rrëmujë të vërtetë. Messi ishte në një luftë të hapur me presidentin e klubit Josep Maria Bartomeu, i cili së shpejti do të detyrohej të jepte dorëheqjen, Luis Suarez udhëhoqi një linjë të veteranëve të njohur që ishin dëbuar dhe trajneri i ri, Ronald Koeman po luftonte për të imponuar autoritetin e tij. Megjithatë, Coutinho bëri një fillim premtues në sezonin 2020/21 dhe gjeti favore me Koemanin, duke u bërë i rregullt në formacionin bazë përpara se dështimi i tij i fundit të vinte pas një dëmtimi në gju që e la jashtë për tetë muaj. Ky lëndim bëri që te Barcelona të shuheshin shpresat për ta shitur në fund të sezonit. Rezultati ishte një tjetër sezon i humbur.

Ende i papërshtatshëm

Kur Coutinho u kthye nga lëndimi në shtator, Koeman ishte në ditët e tij të fundit në krye të ekipit, ndërsa skuadra u pengua nga një krizë në tjetrën. Coutinho shpejt ndezi polemika duke bërë një nxehje të mjerueshme gjatë lojës së fundit të trajnerit të përkohshëm Sergi Barjuan në Celta Vigo. Por nëse 29-vjeçari mendonte se ardhja e Xavi do të sillte një mundësi të re, këto shpresa u shuan shpejt. Coutinho ishte një zëvendësues i vonshëm në ndeshjen e parë të trajnerit të ri – një fitore 1:0 në shtëpi ndaj Espanyolit. Por më pas ai u la në stol për barazimin e Ligës së Kampionëve me Benfican, pasi Xavi preferoi adoleshentët Yusuf Demir, Nico Gonzalez dhe Gavi për transferimin rekord të klubit. Ai shënoi një penallti të vonuar kur u inkuadrua nga stoli kundër Villarrealit, por humbja e së shtunës në shtëpi kundër Real Betisit ishte një tjetër zhgënjim.

“Xavi i do mesfushorët agresivë që vrapojnë dhe sulmojnë hapësirën me ritëm dhe fuqi. Coutinho nuk mund ta bëjë këtë. Ne kurrë nuk do ta shohim potencialin e plotë të Coutinhos te Barcelona, pasi ai nuk përshtatet në stilin e lojës”, ka thënë analisti i futbollit spanjoll Domagoj Kostanjsak.

Në të vërtetë, shpresa më e madhe e Barçës për Coutinhon tani është ta shesë atë në janar për të reduktuar borxhin e klubit dhe ndoshta për të financuar transferime të reja, si Ferran Torresin e Cityt, i cili është objektivi kryesor i Xavit. Vlera aktuale e brazilianit ka rënë në 20 milionë euro, ndërsa ai ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2023. /koha/


Shtuar 7.12.2021 20:46