U arrestua sot në Elbasan, kush është “Dragoviçi” që sot iu kap arsenal armësh

Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Forcat Operacionale arrestuan sot të shumë kërkuarin Ervis Daka në lagjen “Shënkoll” të qytetit duke i kapur atij mjaft armë dhe municione.

Gjatë këtij operacioni, Dakës, i cili njihet në zonë me pseudonimin “Dragoviçi”, iu kapën dy pistoleta, njëra me silenciator, një automatik kallashnikov me dy karikatorë të ngjitur dhe gati për qitje, një anti-plumb si edhe municione të shumta.

Policia dyshon se armët janë përdorur në ngjarje kriminale, por pritet ekspertiza për të vërtetuar këtë tezë.

Policia lokale tentoi të kryejë të njëjtin operacion edhe në vitin 2018, por kur shkuan për kontroll ata u përballen me rezistencë nga vëllezërit Daka. Madje, ata u arrestuan sepse goditën me grusht shefin e rendit.

Po ashtu në vitin 2017-të Ervis Daka është përfshirë në një konflikt me shtetasin me inicialet S. S., ku ky i fundit e ka plagosur Dakën, e për pasojë u dënua me burg.

Daka njihej si personazh problematik në zonë dhe askush nuk donte të kishte të bënte me të.


Shtuar 5.06.2020 09:23