Nëse mbështesja LSDM-në, 100 të vdekur para Kuvendit
"Sikur t’i dilja krah Branko Cërvenkovskit, do të shkaktoja konflikt ndëretnik me pasojë 100 të vdekur përpara Kuvendit".

Kështu e shpjegon mosndërhyrjen e tij lidhur me zhvillimet e 24 dhjetorit, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, në intervistën e realizuar për të përditshmen maqedonase "Dnevnik".

Ai ka zbuluar ndër të tjerash se ka qenë i këshilluar nga bashkësia ndërkombëtare të qëndronte jashtë zhvillimeve të javës së fundit të dhjetorit.

"Paramendoni situatën sikur më 24 dhjetor të ishim në Kuvend unë dhe deputetët e mi, dhe 50 mijë shqiptarë jashtë godinës së Kuvendit. Paramendoni të kishim konflikt me sigurimin e Kuvendit. Kjo nuk do të përbënte komedi. Nuk do të mundnin të na nxirrnin jashtë Kuvendit të rrahur, por do të kishte konflikt të drejtpërdrejtë fizik. Nëse unë dhe disa mijëra shqiptarë do të shkelnim mbi barrikadën dhe të niseshim drejt Policisë dhe drejt mbështetësve të pushtetit, kjo do të ishte konflikt i drejtpërdrejtë mes shqiptarëve dhe maqedonasve", ka theksuar Thaçi.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet për marrëveshje me qeverinë, duke u shprehur se "nuk bën politikë hipokrite".

"Të gjithë që mendojnë se PDSH do të mbështesë pas kuintave qeverinë, ju siguroj se kjo nuk është e saktë. Opozita pohon se po rrënohet demokracia për shkak se po mbivotohet...ju lutem, opozita maqedonase votonte në Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale kufizimin e diskutimit të deputetëve shqiptarë për ligjin e branitellave. Kë po e mbivotojnë për 20 vjet nëse jo shqiptarët?! Nuk bëj politikë hipokritike për shkak se nuk jam Izet Zeqiri, Hamdi Bajrami ose Rufi Osmani, dhe sepse e konsideroj veten si lider të shëndosh mentalisht. Nëse do të zgjidhja këtë rrugë, do të kishte 100 të vdekur përpara Kuvendit", ka theksuar lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi. /albeu.com/
Shtuar më 11/01/2013, ora 11:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori