Në Tetovë dhe Gostivar vazhdon të rritet numri i të prekurve nga Covid -19
Pas rritjes së numrit të të infektuarve me Kovid 19 në Tetovë dhe rajonin e saj dhe vdekjes së dy të infektuarve nga ky virus, shtabi i krizës i komunës ka kërkuar nga Qeveria ashpërsimin e masave. Ndërkohë komuna e Tetovës kërkon nga Banka Popullore gjetjen e zgjidhjes për dhënien e shërbimeve përmes dërgesave, me qëllim evitimin e grumbullimit të njerëzve para bankave.


Sot do i drejtohemi me letër edhe Bankës popullore, që të gjendet vërtetë mënyra sa i përket evitimit të grumbullimit të personave për shërbimet bankare sepse kjo është kohë krize. Ne kemi nënvizuar në vendimet e sotme edhe një herë çështjen e rritjes akoma më tepër të numrit të testimeve – deklaroi Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.

Rritje të numrit të të prekurve ka edhe në Gostivar. Kreu i kësaj komune thotë se situata është nën kontroll.

Gjendja është shumë serioze dhe qytetarët duhet të jenë shumë të vëmendshëm por aspak nuk kemi hapësirë për panik apo frikë. Situata në Gostivar vazhdon të jetë relativisht stabile. Ne kërkuam nga institucionet, bankat ku mblidhet fluks më i madh i njerëzve që të sigurojnë vet sigurime për ta mbajtur distancën minimum 2 metra të njerëzve u – shpreh Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.

Numri i përgjithshëm i personave të cilët gjenden në karantinë shtetërore në rajonin e Pollogut është 428, prej të cilëve në Tetovë 210 dhe Gostivar 218, kurse me deklaratë të nënshkruar për vetë-izolim janë 10 persona 8 në Tetovë dhe dy në Gostivar. Orën policore mbrëmë në Pollog e kanë shkelur gjithsej tre persona.
Shtuar më 06/04/2020, ora 15:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori