Në pritje të Gjykatës të vendosë për paraburgimet e funksionarëve të VMRO- DPMNE-së
Kaluan më shumë se 24 orë pasi provat materiale PPS i dërgoi në Gjykatën Penale të Shkupit.

Por deri tani nuk ka vendim se a do të shkojë në paraburgim ndonjë nga funksionarët e lartë të akuzuar.

"Vendimet po shkruhen, disa tanimë janë sjellë, disa jo. Përderisa nuk nënshkruhen dhe nuk u dorëzohen palëve, nuk mund të dihet".

Kështu u përgjigj ushtruesi i detyrës së kryetarit të gjykatës Stojançe Ribarev në lidhje me vendimet e këshillave penalë të gjykatës, ndaj kërkesës së PPS për caktimin e masës së paraburgimit dhe masave tjera të kujdesit.

Më vonë, gjykata njoftoi se gjykatësit dhe këshillat penalë janë duke shqyrtuar një material shumë të vëllimshëm për një numër të madh të propozimeve, e pasi të vendosin, fillimisht do t’i njoftojnë të akuzuarit, shkruan TV 21, shkruan Portalb.mk.

"Duke pasur parasysh faktin se pas marrjes së vendimeve për të gjitha propozimet, pas përfundimit të të gjitha procedurave, të njëjtat duhet fillimisht të përpunohen dhe t’u dorëzohen palëve në procedurë.

Se sa do të zgjasë procedura, kjo nuk mund të parashikohet. Për vendimet e sjella të Këshillave penalë, publiku do të njoftohet menjëherë", nga Gjykata Themelore Shkupi 1.

PPS kërkon të sillet masë paraburgimi kundër ish kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Guevskit, Sasho Mijallkovit, Gordana Jankullovskës, Elizabeta Kançevska Milevskës dhe funksionarëve të tjerë të VMRO-DPMNE-së të akuzuar për disa vepra penale.

Në akuza janë përfshirë edhe funksionarët e BDI-së Ejup Alimi dhe Ismet Guri.

Prokuroria speciale Katica Janeva edhe sot përsëriti qëndrimin se mbetet pas akuzave të dorëzuara.

"Nga gjykata pres që punën e saj ta kryejë në mënyrë profesionale, të paanshme dhe në pajtim me ligjin.

Ne si Prokurori speciale do t’i shfrytëzojmë të gjitha instrumentet ligjorë për të hyrë në seancë dhe për t’i ballafaquar argumentet dhe provat tona me ata që akuzohen në rastet tona", tha Katica Janeva, Prokurore Speciale.

Ndërsa këshillat penalë po vendosnin, bulevardi para njësisë së Shkupit për disa orë mbeti i bllokuar për shkak të protestuesve të cilët shpreheshin se akuzat e Katica Janevës janë të pabaza. Në mesin e tyre ishte edhe Angell Zafirovski – Bate Gelle – njëri prej të dënuarve me kusht për dhunën në kuvend më 27 prill. Ata nuk e mohonin se kishin ardhur si mbështetje partiake.

"Jemi këtu para gjykatës për të ofruar mbështetje për njerëzit kundër të cilëve janë dorëzuar padi penale . Unë kam ardhur partiakisht."

"Nëse gjejnë se ka pasur ndonjë kriminalitet, le të vendosin, le të ketë drejtësi për të gjithë. Nuk mundet që për gjithçka ta ngarkojnë vetëm një parti. Kjo është qasje selektive".

"Nuk e duam kryeministrin. Pres që ai ta lëshojë funksionin që ka".

PPS ngriti 17 akuza të reja për 18 raste kundër 94 personave fizikë dhe 7 personave juridikë. Kërkohet paraburgim për 18 persona, ndërsa masë kujdesi për 47 të tjerë.
Shtuar më 01/07/2017, ora 10:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori