Në këtë datë merret vendimi për ngjarjet e turpshme në Kuvend
Pas gjashtë muaj gjykim, më 15 mars pritet që të shpallet vendimi për të akuzuarit për ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit të vitit 2017-të kur qindra protestues dhe dhunues vërshuan në Kuvendin e Maqedonisë dhe rrahën deputetë dhe gazetarë, por edhe demoluan gjithçka që gjetën përpara.

Të akuzuarit në fund kanë thënë se janë të gatshëm të marrin përgjegjësi për atë që e kanë bërë, por thanë se nuk janë fajtor për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë, ashtu siç i ngarkon Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Pjesa më e madhe tyre nuk kanë dhënë mbrojtje, por pas më shumë se një orë kanë dhënë fjalë përfundimtare. Ata thanë se paraprakisht deputetët e akuzuar, të cilët u amnistuan, u kanë sugjeruar që mos të japin mbrojtje pasi që do të amnistohen.

“Më vjen keq për ndodhitë në Kuvend, por unë nuk ndjej keqardhje. Keqardhje duhet të ndjejnë Kërsto Mukoski dhe Sasho Vasilevski”, tha i akuzuari Vilijam Mihalljovski.

Një pjesë e tyre janë të zemëruar për shkak ashtu siç thonë, për pazarin e amnistisë.

“Do të mbajë përgjegjësi për atë që e kam bërë, por ajo sigurisht se nuk është terrorizëm. Zaharie Simovski fitoi amnisti, ndërkaq ne të gjithë e dimë se në Kuvend ka bartur pistoletë”, deklaroi i akuzuari, Nikolla Mitrevski – Kolo.

Avokatët e tyre presin që deri në momentin e fundit prokurorja Vilma Ruskoska të bëjë rikualifikim të veprës penale për të cilën i akuzon. Ata janë të bindur se klientët e tyre janë të pafajshëm dhe presim lirimin e të njëjtëve.

Gjykatësja, Dobrilla Kacarska tha se i duhet kohë më e gjatë që t’i shqyrtojë të gjitha procesverbalet në të cilat janë analizuar video-incizimet nga kamerat kuvendore dhe televizive, përpara se të shqiptohet vendimi. Përpara dy ditëve ajo tha se gjatë udhëheqjes së procedurës ajo nuk ka pasur kurrfarë trysnie nga ndonjë funksionar partiak.

Për më pak se një muaj, vendimin do ta dëgjojnë vetëm 17 të akuzuar, në mesin e të cilëve janë ish drejtori i BSP-së, Mitko Çavkov, këngëtari i operës, Igor Durllovski, të punësuarit në Kuvend dhe agjentët e DSK-së, pasi që Ligji për Amnisti ka shkaktuar reagime të shumta në opinion pas amnistimit të 15 personave, në mesin e të cilëve ishin deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët votuan “për” ndryshimet kushtetuese për ndërrimin e emrit dhe udhëheqësit e protestave “Për Maqedoni të përbashkët”.
Shtuar më 22/02/2019, ora 16:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori