Në këtë datë Maqedonia zyrtarisht ndryshon emrin në Maqedonia e Veriut
Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës, edhe në Kuvendin grek, ia hapi Maqedonisë rrugën e proceseve euroatlantike që ia kishte bllokuar për vite me radhë për shkak të emrit të shtetit “Maqedonia”.

Pas afro dy javësh, Maqedonia zyrtarisht do të njihet si “Republika e Maqedonisë së Veriut”, pasi atëherë sipas procedurës së parashikuar, do duhet të hyjë në fuqi Marrëveshja e Prespës. Presidenti grek do duhet ta nënshkruajë Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes dhe ai të publikohet në Gazetën Zyrtare, si edhe në Maqedoni.

Hapi tjetër që Greqia është e detyruar që ta ndërmarrë është ta nënshkruajë edhe protokollin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO, dhe kështu t’ia lejë rrjedhën procesit i cili ishte i bllokuar për 27 vjet, shkruan Bota sot.

Pastaj Greqia duhet ta njoftojë Sekretariatin e Përgjithshëm të NATO-së për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, ndërsa më tej, 29 vendet anëtare të NATO-së, do të duhet të nënshkruajnë protokollin për qasje të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe i njëjti duhet të ratifikohet edhe në çdo Parlament amë të shteteve anëtare, përfshirë edhe atë grek. Pritet që ky proces të përfundojë deri në fund të vitit, ndërsa Greqia ka njoftuar se e para do të ratifikojë protokollin.

Derisa zhvillohet ratifikimi, Maqedonia do të merr pjesë, deri në një nivel të caktuar, në proceset e Aleancës. Për shembull, mund të merr pjesë në të gjitha forumet dhe takimet, por pa të drejtë vote.

Hapi tjetër është ftesa për aderim, të cilën Maqedonisë do t’ia dërgojë Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, pasi të gjithë anëtarët do të njoftojnë SHBA-në, depozituesit e marrëveshjes, se e kanë ratifikuar protokollin e aderimit.

Në hapin e fundit, Maqedonia do të duhet edhe vetë formalisht ta pranojë aderimin në NATO – me referendum ose me votim në Kuvend.

Pastaj vendimi për aderim i dërgohet Departamentit të shtetit të SHBA-së, “gardianit” të Marrëveshjes së Uashingtonit dhe formalisht bëhet anëtare e NATO-së.

Meqë shoshiten problemet shekullore mes Greqisë dhe Maqedonisë, të dy shtetet do të hapin ambasadat në vendet fqinje.
Shtuar më 27/01/2019, ora 12:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori