Në 13:00 nis protesta para Qeverisë
Shoqata e të Persekutuarëve dhe të Dëmtuarve Politik Shqiptar(SHPDP) do të protestojë sot para selisë së qeverisë me moton "Për dinjitet". Kjo do të jetë vetëm njëra nga sloganet e shumta me të cilat anëtarë të kësaj shoqate, të mbështetur nga rreth 45 organizata dhe shoqata të tjera civile, sot në ora 13:00, do të dalin para Qeverisë për të kërkuar zgjidhjen përfundimtare të statusit të tyre përmes miratimit të një ligji për rehabilitimin dhe zhdëmtimin e viktimave të komunizmit.

"Protesta ka moton "Për dinjitet", me një fjalë nuk do të lejojmë gjithnjë të na shkelet dinjiteti. "Për vlera evropiane", është gjithashtu parullë që do të prezantohet në protestë, ashtu si "Ne jemi Evropë 30 mijë vitet e fundit" dhe "Për bashkim". Për bashkim e kemi fjalën, unifikim të gjithë faktorit qoftë politik qoftë jopolitik, qoftë qeveritar apo joqeveritar në vend rreth problemeve tona. Ne e organizojmë këtë protestë si rezultat i mosangazhimit të pushtetarëve tanë rreth definimit të statusit të ish të burgosurve, ish persekutuarve politik, edhe pse qysh në vitin 2005, duke konsultuar ligjet e disa shteteve progresive në ish bllokun komunist, ne dhe juristët më të mirë shqiptarë kemi hartuar një propozim ligj për zhdëmtimin e ish të burgosurve politik", deklaroi kryetari Shoqatës, Shpëtim Pollozhani.

Për organizimin e kësaj proteste, siç njoftoi kreu i ish të persekutuarve dhe përndjekurve politikë, kanë ndihmuar dhe kanë dhënë përkrahjen e tyre edhe shumë asociacione dhe shoqata serioze, si Shoqata e historianëve shqiptarë, Shoqata e arsimtarëve shqiptarë, ajo e botuesve shqiptarë dhe mbi 35 OJQ tjera. /albeu.com/
Shtuar më 07/06/2012, ora 11:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori