Ndihmë reale apo blerje votash? Qeveria miratoi pakon e tretë të masave ekonomike
Nga Artan NUHIU/TV21

Qeveria miratoi pakon e tretë të masave ekonomike që synojnë rikuperimin e ekonomisë së vendit në periudhën e kthimit në normalitet pas krizës me koronavirusin. Kryeministri Oliver Spasovski tha se pakoja e tretë e masave arrin 355 milionë euro, ose 5.5 për qind të bruto prodhimit vendor, ndërsa me këtë do të përfshihen 730,000 shfrytëzues.

“Të tre paketat në fokus i kanë qytetarët e vendit tonë, vendet e punës të tyre, sigurimin social për të kapërcyer më lehtë pasojat ekonomike të koronavirusit”, deklaroi Oliver Spasovski – kryeministër.

Ndër masat më të theksuara nga pakoja e tretë janë:

“Kartelë për qytetarët – nga 150 euro për produkte dhe shërbime maqedonase. Vauçer për turizmin vendor prej 100 eurove dhe kartelë vendore nga 50 euro. Përkrahje në para për studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme prej 100 eurove dhe kartelë nga 50 euro. Fundjavë pa TVSH për të gjithë qytetarët. Kompensim në para për të gjithë personat që kanë mbetur pa punë nga 11 marsi deri më 30 prill të vitit 2020. Kredi pa normë interesi për kompanitë përmes Bankës zhvillimore të Maqedonisë së Veriut në vlerë prej 31 milionë eurove. Përkrahje për sektorin agrar në vlerë prej 5 milionë eurove përmes Bankës zhvillimore. Kartelë për subvencionim të 50% të naftës së gjelbër për bujqit. Shpërblim prej 20% nga rroga themelore për 2 muaj për mjekët dhe personelin mjekësor”.

Por sa janë këto masa reale për ta rimëkëmbur ekonominë e vendit? Eksperti ekonomik Visar Ademi thotë se këto masa janë populiste dhe blerje votash para zgjedhjeve.

“Blerja e votave në kohë zgjedhjeve, sa më tepër grupe të interesit të blejsh që në fund të fitosh zgjedhjet. Kjo është formula e vetme. Blej mediat, blej studentët, blej pensionistët që t’mund të vazhdosh edhe një katër vjecar të ardhshëm, ndërkohë që në kurriz të të gjitha këtyre masave popilistike po humb mirëqenia ekonomike, fuqia qytetare, humbet ekonomia, humbet sektori privat”, deklaroi Visar Ademi-analist.

Reaguan edhe nga VMRO DPMNE. Nga atje thonë se këto masa nuk janë masa për ndihmë të qytetarëve dhe të atyre që janë goditur nga kriza ekonomike, por janë masa për ryshfet./TV21

Shtuar më 17/05/2020, ora 22:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori