E FUNDIT/ Makina përplas 10 vjeçarin në Vlorë
Mungesë e ujit të pijshëm, banorët e Drenocit kërcënojnë me bllokimin e rrugës
Mbi 50 shtëpi të lagjes Drenoc të Tetovës përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Gjendja përkeqësohet gjatë ditëve të verës kur temperaturat janë të larta dhe qytetarët e shfrytëzojnë ujin e pijshëm edhe për shumë nevoja të tjera si ujitjen e të mbjellave, larjen e veturave, të rrugëve etj. Ata kërkojnë nga komuna zgjidhjen e problemit, ndërsa kërcënohen me bllokimin e rrugëve në rast se nuk ndërmerren masat e nevojshme.

"Nuk kemi ujë sepse shteti, komuna bën ndarjen e njerëzve, favorizon një pjesë të cilët janë nën rrugën regjionale të gjithë ujin për ujitjen e fushave e shfrytëzojnë ndërsa në ujë për pije nuk kemi. Mendoj se në bazë të ligjit të gjithë jemi të barabartë, këta një pjesë e favorizojnë, neve na lënë pa ujë".

"Kur nuk ka ujë shkojmë i mbushim bidonat me ujë te Xhamia presim radhë të pijmë ujë për pije për gjërat elementare. Presim të na furnizojë së paku me ujë të pijshëm, ne jemi qytetar të këtij shteti, i paguajmë taksat njejtë si ai që ka si ai që nuk ka ujë".

"13 vite jam në këtë lagje, ujë nuk kemi pasur aspak. Si mund të ketë larje veturash atje? Me çfarë uji punojnë ato? Ne paguajmë tatim, ai bën larjen e veturave e lajnë edhe rrugën, asfaltin aty. Si mundet? Ndërsa ne ujë as natën as ditën nuk kemi. Temperaturat 40 gradë ne nuk kemi ujë. Uji është burimi i jetës".

Nga Ndërmarrja Publike Komunale e Tetovës thonë se kanë dalë në terren për t’i tërhequr vërejtjen të gjithë bizneseve që punojnë me ujë si dhe amvisërive të cilat e keqpërdorin ujin e pijshëm për nevoja të tjera.

"Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që uji i pijshëm të përdoret vetëm për pije jo dhe për gjëra tjera. Të gjithë qytetarët të cilët kanë nevojë për ujitje apo larje veturash, të përdorin ujë teknik i cili është pa pages dhe i cili ndodhet tek rrethi i Teteksit" – deklaroi Xhelal Ceka, NPK "Tetova".

Problemi me ujin e pijshëm posaçërisht gjatë ditëve të verës në këtë pjesë të lagjes Drenoc të Tetovës, është evident prej më shumë se 10 vitesh. Po pavarësisht premtimeve, deri më tash ky problem nuk ka gjetur zgjidhje.
Shtuar më 15/08/2019, ora 16:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori