Nuk u plotësua kuorumi, nuk kalojnë pesë marrëveshjet ndërkombëtare

Për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend nuk kanë kaluar pesë marrëveshjet ndërkombëtare, raporton “Ekonomia Online”.

Për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve do të duhej të ishin mbi 80 vota të deputetëve, ndërsa në votim merrnin pjesë vetëm 75 deputetë.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se këto marrëveshje do të shtyhen për seancën e radhës.

Në rend dite ishin këto marrëveshje:

Votimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar;

Shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan;

Shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturës Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim;

Shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin e bashkimit “Dogana 2020”;

Shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin e bashkimit “Fiskalis 2020”.


Shtuar 9.07.2020 10:16