Qeveria shqiptare, ankand për 100 milionë euro obligacione në tregun e brendshëm

Qeveria shqiptare do të organizojë këtë muaj një ankand për emetimin e obligacioneve në shumë e 100 milionë eurove.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, obligacioni do të ketë maturitet dyvjeçar dhe do të ofrojë për investitorët një kupon fiks.

Obligacion i ri në euro mund të ketë si qëllim rifinancimin e obligacionit dyvjeçar në euro që u emetua në prill të vitit 2020, pas shpërthimit të pandemisë. Në atë rast, qeveria siguroi 100 milionë euro hua nëpërmjet emetimit të obligacioneve 2-vjeçare në tregun e brendshëm, me një kupon fiks prej 1.96%.

Obligacionet e qeverisë shqiptare në euro mund të jenë një alternativë e mirë për ata investitorë të cilët zotërojnë likuiditete të lira në valutë, për të synuar norma kthimi më të larta se ato që ofrojnë depozitat bankare.

Qeveria shqiptare ka aplikuar herë pas here në vitet e fundit ankande të letrave në vlerë në euro për të shfrytëzuar likuiditetin e lartë që ka ekonomia shqiptare në këtë valutë. Në fund të muajit shkurt të këtij viti, sektori bankar kishte afërsisht 5.5 miliardë euro depozita në valutën europiane. Depozitat në euro përbëjnë afërsisht 52% të totalit të depozitave bankare në vend.

Avantazh i obligacioneve në euro kanë qenë edhe normat përgjithësisht më të ulëta të interesit. Për shkak të politikave të Bankës Qendrore Europiane, mbajtja e tepricave të papërdorura të likuiditetit në euro ka bartur kosto për bankat tregtare dhe normat e interesit në këtë monedhë kanë qenë më të ulëta në raport me lekun.

Në ankandin e vitit 2020, qeveria shqiptare siguroi një kupon prej 1.96%, ndërsa kërkesa e paraqitur në ankand ishte tejet e lartë dhe arriti në rreth 160 milionë euro. Në momentin aktual, pritshmëria për rritje të normave të interesit ndoshta do të bëjë që çmimi i kërkuar nga investitorët të jetë më i lartë.

Specifikisht për bankat tregtare (që janë edhe blerësit kryesorë të obligacioneve të qeverisë në euro) normat e ulëta të kërkuara janë ndikuar edhe nga politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë, që në dy vitet e fundit i ka lejuar t’i njohin këto insturmente me peshë rreziku 0, në përllogaritjen e treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit. Kjo nënkupton se bankave nuk iu është kërkuar mbulim me kapital rregullator për të investuar në këto instrumente. Kjo politikë ka favorizuar rritjen e investimeve të bankave në këto instrumente në dy vitet e fundit. Vlera e obligacioneve në valutë të huaj të qeverisë shqiptare në bilancet e sektorit bankar arriti në rreth 70 miliardë lekë ose pothuajse 580 milionë euro në fund të vitit të kaluar, në rritje vjetore me 54%.

Duke filluar nga viti 2022, Banka e Shqipërisë i ka shfuqizuar këto dispozita kalimtare dhe aktualisht çdo investim në obligacione në valutë të qeverisë shqiptare do të llogaritet me peshë rreziku. Nëse banka qendrore nuk zbaton përjashtime të reja, atëherë mundësitë e bankave për të investuar në këto instrumente do të jenë më të pakta dhe kosto në kapitalizim më e lartë. Në këto kushte, mund të jetë e pritshme që yield-et e kërkuara nga bankat të jenë më të larta.

Në ankandet e fundit, tregu ka shfaqur një tendencë për rritje të normave të interesit edhe në instrumentet në monedhën vendase. Kjo tendencë u ndikua ndjeshëm nga rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë muajin e kaluar.

Në fund të vitit të kaluar, Ministria e Financave raportonte një borxh publik në vlerën e 1.38 trilionë lekëve, shumë e vlerësuar sa 78.15% e PBB-së. Borxhi publik në terma realë u zmadhua për të dytin vit radhazi dhe rritja e pritshme e normave të interesit pritet të rrisë ndjeshëm kostot e shërbimit të borxhit. Vitin e kaluar, qeveria pagoi afërsisht 36 miliardë lekë për interesa borxhi, shumë kjo afërsisht sa 2% e PBB-së./Monitor