Nga Basha tek Berisha? Ina Zhupa: Nuk ngatërroj politikën me personalen

Gjithë media online u mbush me lajmin e qëndrimit të Ina Zhupës, e cila po aq sa mbështeti Lulzim Bashën, po aq mbështet edhe Sali Berishën. Në programin ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin ajo u shpreh se është munduar gjithmonë që zgjedhjet e saj politike të jenë parimore duke u lidhur me atë që i bën më shumë dobi Partisë Demokratike dhe demokratëve, jo me qëndrime individuale.

“Pjesëmarrja ime në Kuvendin e datës 30 prill ishte totalisht e ndikuar nga ajo që ishin demokratët e bazës time, nevoja për bashkim, nevoja për të fituar zgjedhjet lokale, nevoja që shumicës së demokratëve ke për detyrë që ‘ti përgjigjesh sepse ti je aty nga votat e tyre. Patjetër që ke një lloj po them me veten tënde ‘a është më e mira e mundshme?’ Dhe nëse ti e bën parimore atëherë je e qetë sepse ti po zbaton parimet e tua dhe del ku del rezultati final të paktën je koshiente që po e bën në bazë primesh dhe jo interesash personale”.

Ajo shtoi gjithashtu se me ish-kryetarin Basha ka dhe një marrëdhënie personale sepse ka qenë personi që e ka thirrur, dhe nuk do t’i lejonte kurrë vetes që ta shante apo të thoshte diçka negative për personin e tij, por politikisht do të dëshironte që PD të fitonte zgjedhjet dhe të bashkoheshin demokratët.

“Gjithmonë do të kem një respekt personal, mirënjohje personale për figurën e Z. Basha dhe këtë nuk e ndryshoj dot, por sot unë kam një qëndrim që i shërben më shumë demokratëve, dhe e shikoj fitoren e PD, ringritjen e PD tek ajo ku duan shumica e demokratëve, pjesën që përfaqësohet nga Z. Berisha, ndaj mua më lind detyrimi si deputete e zgjedhur nga ata që të qëndroj mbi parimet e asaj që kërkojnë demokratët.”


Shtuar 27.05.2022 18:10