U panë me të keq kur po qetheshin tek berberi, si u vra 39-vjeçari në Durrës?

Sherri mes dy të rinjve (Erald Gjini dhe Klodjan Daci) në Durrës, ku mbeti i vrarë një person dhe dy të tjerë të plagosur, ka nisur në ambientet e një berberhaneje në qytetin bregdetar dhe më pas situata degjeneroi në konflikt masiv, ku u përfshinë të paktën dhjetë persona.

Në këtë ngjarje të përgjakshme, që nisi me sende dhe mjete të forta e përfundoi me përdorimin e armëve, mbeti i vdekur Armando Baboçi, si dhe u plagosën Erald Gjini (i biri) dhe shtetasi Henri Tatosi.

Sipas Prokurorisë së Durrësit, më datë 18 shtator në orën 17:30, Eraldi Gjini, djali i viktimës, ka shkuar për t’u qethur në një berberhane ku ndodhej dhe Klodjan Daci, djali i një biznesmeni të njohur në Durrës.

PËRPLASJA E PARË

Nga deklarimet që kanë dhënë personazhet për grupin e hetimit mësohet se Gjini ka shkuar në ambientet e brendshme të berberhanes dhe është ulur për t’u qethur, ndërkohë në karrigen ngjitur ishte ulur Klodjan Daci. Klodjani ka përfunduar qethjen i pari dhe është ngritur nga karrigia për të larë kokën, ndërkohë që 19- vjeçari Gjini vijonte që të qethej.

Gjatë kësaj kohe, Gjini dhe Daci kanë hedhur shikime dashakeqe kundrejt njëri-tjetrit dhe kjo ka mjaftuar që të ndizej konflikti mes të rinjve. Situata degradoi shumë shpejt dhe dy të rinjtë kanë dalë jashtë berberhanes për t’u konfliktuar fizikisht.

Në ato çaste, Erald Gjini nxjerr një palë gërshërë që i kishte marrë nga brenda dyqanit dhe ka qëlluar 19- vjeçarin në dorë. Disa djem të tjerë të njohur të dy të rinjve, përfshi edhe berberët, ndërhynë dhe arritën t’i ndanin Gjinin e Dacin. Por ky i fundit nuk e la me kaq, kjo edhe për faktin që doli i humbur, pasi mbeti i lënduar në njërën dorë dhe organizoi kundërpërgjigjen.

PËRPLASJA FATALE

Me dorë të fashuar, Klodjan Daci shkoi menjëherë në shtëpi, ku edhe njoftoi vëllanë e tij të madh, Florjonin. Rreth një orë më vonë dhe konkretisht në 18:55, dy vëllezërit lajmëruan edhe shokët e tyre për atë që kishte ndodhur.

Këta të fundit u treguan të gatshëm për t’u dalë në krah. Janë organizuar duke marrë armë, shkopinj bejsbolli dhe leva, kanë hipur në dy makina dhe janë nisur drejt lokalit ku qëndronte Eraldo Gjini, babai i tij, Armando, xhaxhai dhe një shoku i tij.

Në momentin që grupi prej tetë anëtarësh i Klodjan Dacit zbriti nga automjetet, Eraldo Gjini, babai i tij Armando, xhaxhai dhe një shoku i tij i pikasin dhe lëvizin nga tavolina dhe Enriko Gjini (xhaxhai i Eraldos) mbush pistoletën dhe e fut në brez. Pasi afrohet edhe grupi i Klodjanit nis përplasja.

“Klodian Daci kishte marrë me vete për hakmarrje vëllanë Florjanin, Henriko dhe Sergio Tatazin, Anxhelo Bocin, Endri Cimon alias Cungun dhe Argit Kastriotin. Të përfshirë ka pasur dhe persona të tjerë, por ende nuk janë identifikuar.

Një prej tyre, ndërkohë që të tjerët goditeshin me sende të forta, nxori një pistoletë nga brezi dhe e mbushi me fishekë. Në këtë moment, Klodjan Daci i është afruar Anxhelo Bocit dhe nga një çantë marsup i ka marrë një armë zjarri dhe nis të qëllojë mbi kundërshtarët.

Baboçi rrëzohet në tokë i pajetë pasi mori tre plumba, tre në shpatull dhe një në kofshë. I plagosur mbeti dhe Eraldo Gjini, ndërkohë plumbi kapi pa dashje dhe shokun e tij, Henrik Tatazin”, thuhet në raportin e Prokurorisë./panorama


Shtuar 23.09.2020 21:34