SHBA kap liderin e lartë të “ISIS”

Forcat e koalicionit amerikan deklaruan se kapën një zyrtar të lartë dhe prodhues të bombave të ISIS në një aksion të kryer me sukses para agimit të së enjtes, ku, sipas dëshmitarëve, u panë forca ushtarake me helikopterë të cilat bastisën një shtëpi të izoluar në Sirinë veriperëndimore të kontrolluar nga forcat rebele.

Një vëzhgues lufte dhe korrespondentët e AFP-së thanë se dy helikopterë ushtarakë u ulën për vetëm disa minuta dhe u dëgjuan disa të shtëna, në një fshat, në një zonë të kontrolluar nga grupet rebele të mbështetura nga Turqia.

“Individi i kapur është një prodhues me përvojë i bombave artizanale, i cili u bë një nga udhëheqësit më të lartë të degës siriane të Daesh-it,”shkruhej në raportin e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja që lufton grupin xhihadist në Siri dhe Irak, të cilët përdorin një emër tjetër për IS.

Koalicioni nuk e përmendi objektivin në deklaratë, por një zyrtar i koalicionit i tha AFP-së se personi i kapur ishte Hani Ahmed Al-Kurdi, i cili ishte lideri i ISIS në Raqa.

Operacione të tilla nga forcat amerikane janë të rralla në pjesë të Sirisë veriperëndimore që janë nën kontrollin e rebelëve të mbështetur nga Turqia dhe grupeve xhihadiste.

Një bastisje e mëparshme e forcave speciale amerikane, në fillim të shkurtit çoi në vdekjen e udhëheqësit të grupit Abu Ibrahim al-Qurashi, i cili shpërtheu një jelek bombë për të shmangur kapjen e tij i gjallë.

ISIS më pas emëroi Abu al-Hassan al-Hashemi al-Qurayshi si pasardhësin e tij, pa dhënë detaje të mëtejshme rreth identitetit të tij. /REL


Shtuar 16.06.2022 17:11