Moska dhe Brukseli shqetësohen për incidentin në Gushincë
Moska zyrtare ka reaguar rreth incidentit të fundit në Gushincë. Përmes një komunikate për mediat, Ministria e Jashtme ruse ka shprehur shqetësimin e thellë për atë që ajo e quan, "incident në pjesën kosovare të kufirit maqedono-serb gjatë të cilës një grup i armatosur ka sulmuar stacionin policor në Gushincë në anën maqedonase".

Duke u treguar e kujdesshme për të mos njohur Kosovën, nga Moska citojnë vetëm detajet e ministrisë së brendshme.

Ministria e Jashtme ruse vë gjithashtu theksin se gjatë sulmit të dy ditëve më parë ka pasur kërcënime politike dhe etnike.

"Incidenti në kufirin maqedonas tregon se në këtë pjesë të Ballkanit edhe më tej ka tensione të thella etnike dhe hapësirë për konflikte të mundshme. Për këtë situatë, ndikim parësor ka mungesa serioze e sundimit të ligjit dhe sigurisë në Kosovë, e cila është pasojë e mos zgjidhjes së problemit të Kosovës në tërësi. Ajo nuk duhet të injorohet, sikurse pjesëmarrja gjithnjë e më e shpeshtë të sloganeve për Shqipëri të Madhe. Shpresojmë se përpjekjet e autoriteteve maqedonase për ta kthyer rendin në rajonin problematik të shtetit do të gjejë mbështetjen e duhur ndërkombëtare", thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme ruse.

Ky është reagimi i dytë i Moskës brenda një periudhë të shkurtër. Ajo reagoi pak kohë më parë edhe rreth çështjes "Puçi", ku nënvizonte nevojën për hetim thelbësor të përpjekjes për grusht-shtet, duke tërhequr vërejtjen edhe për rrezikun e ashpërsimit të tensioneve ndëretnike në vend si pasojë e krizës politike.

Shqetësim rreth incidentit në Gushincë shprehu edhe Komisioni Evropian. Nga Brukseli iu bë thirrje të gjitha palëve që rasti të zgjidhet në mënyrë të përgjegjshme.

"Ne presim që autoritetet dhe partitë politike të bëjnë të gjithat përpjekjet e mundshme për të shmangur përshkallëzimin e çfarëdolloj tensioni politik apo ndëretnik", u shpreh zëdhënësja e KE-së Maja Kocijançiq. /albeu.com/
Shtuar më 23/04/2015, ora 16:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori