Ukraina: Rusia ka instaluar raketahedhëse në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia

Forcat ruse kanë instaluar raketahedhëse të shumta në centralin bërthamor të mbyllur të Ukrainës, Zaporizhzhia, pohuan zyrtarët ukrainas të enjten, duke ngritur frikën se termocentrali më i madh atomik i Evropës mund të përdoret si bazë për të qëlluar në territorin ukrainas dhe për të rritur rreziqet nga rrezatimi.

Kompania bërthamore e Ukrainës Energoatom tha në një deklaratë se forcat ruse që pushtuan centralin kanë vendosur disa raketa-hedhëse të shumëfishta Grad pranë një prej gjashtë reaktorëve të saj bërthamorë.

Kompania tha gjithashtu se sistemet sulmuese janë të vendosura në “strukturat e reja mbrojtëse” që rusët ndërtuan fshehurazi, “duke shkelur të gjitha kushtet për sigurinë bërthamore dhe rrezatuese”.

Edhe pse rreziku i një shkrirjeje bërthamore është reduktuar shumë për shkak se të gjashtë reaktorët janë mbyllur, ekspertët kanë thënë se një lëshim i rrezikshëm i rrezatimit është ende i mundur, raporton Associated Press./albeu.com


Shtuar 9.12.2022 07:35