"Monstra", ndryshon strategjia e protestave
Pëlqej
Revolta e shqiptarëve kundër procesit në rastin "Monstra" nuk do të jetë më përmes rrugëve, por përmes peticioneve.

Këshilli Organizativ dhe Koordinues kundër, sipas tyre, gjykimit të padrejtë të shqiptarëve, ka shpërndarë një njoftim për media, ku dhe bëhen me dije detaje rreth asaj se si do të protestohet në të ardhmen.

Ja komunikata e Këshillit Organizativ dhe Koordinues e rastit Monstra

Këshilli Organizativ dhe Koordinues për rastin e montuar politik “Monstra”, vazhdon me ngritjen e zërit qytetar dhe kombëtar kundër rasteve të montuara politke, dhunës shtetërore si dhe kundër ngufatjes së lirisë së protestës dhe diskriminimit kombëtar dhe fetar.

Familjarët tanë po vuajnë dënim të përjetshëm për vepra që ata janë plotësisht të pafajshëm. Edhe 6 qytetarë shqiptarë padrejtësisht po vuajnë dënime nga 3 vite burg për pjesëmarrje në protesta. Të gjithë këta edhe më tutje kanë nevojë për përkrahjen tonë pavarësisht formës dhe mënyrës së përkrahjes.

Prandaj, konform strategjisë së miratuar nga ana e Këshillit , për një afat të pacaktuar , protestat do t’i zëvendësojmë me organizimin e Peticionit Mbarëkombëtar kundër proceseve të montuara politike. Ky Peticion do të realizohet nëpërmjet hapjes së punkteve të ndryshme në të gjitha qytetet e Maqedonisë, në të cilat qytetarët duke e nënshkruar këtë peticion , do të mund të japin kontributin e tyre kombëtar dhe njerëzor.

Me këtë Peticion si formë e solidarizimit kombëtar, punkte të ngjashme do të hapen edhe jashtë Maqedonisë me çka bashkëkombësit tanë anembanë botës do të mund të japin përkrahjen e tyre kundër shkeljes së të drejtave elementare kombëtare. Nga pamundësia e prezencës sonë në të gjitha punktet jashtë Shkupit si dhe në Diasporë, Peticioni atje do të realizohet nga qytetarë apo shoqata të autorizuara nga ana e Këshillit.

I ftojmë qytetarët shqiptar si dhe OJQ-të që të përkrahin këtë Peticion që nga organizimi deri te nënshkrimi formal i tij dhe së bashku të dëshmojmë se jemi kundër proceseve të montuara politike dhe kundër dhunës shtetërore që e ushtron qeveria maqedonase ndaj popullit shqiptar në Maqedoni./albeu.com/
Shtuar më 28/08/2014, ora 17:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori