Po përgatiteshin për të ekzekutuar biznesmenin e njohur, gjykata lë në burg dy personat e arrestuar në Elbasan

Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Luis Gaxhën dhe Rigers Spahiun të cilët u arrestuan pak ditë më parë pas zbulimit nga policia të një arsenali armësh në banesën e Gaxhës.

Dy të arrestuarit dyshohet se synonin të ekzekutonin një biznesmen të njohur në kryeqytet.

Fotot e biznesmenit janë gjetur në celularin e të arrestuarit tjetër, Xhafer Deliu, i prangosur më 7 tetor me gjysmë kilogramë lëndë narkotike heroinë.

Në telefonin e tij ishte fotografia e të njëjtit biznesmen, i cili më herët ishte shënjestër për t’u vrarë nga Nuredin Dumani, aktualisht i arrestuar si vrasës me pagesë dhe që ka zbuluar një sërë krimesh.

I njëjti biznesmen dyshohet të ishte në plan për t’u eliminuar nga Gaxha dhe Spahiu, të arrestuar gjatë së enjtes, pasi në banesën e të parit u gjetën armë zjarri kallashnikov me silenciatorë.