Ministria e Brendshme dështoi në arrestimin e Grujevskit dhe Boshkovskit
Ministria e Brendshme dështoi në arrestimin në kohë të Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkovskit.

Pavarësisht pritjes së vendimit gjyqësor nga Gjykata Supreme për paraburgosjen e tyre, policia dhe shërbimi sekret u gjendën të papërgatitur për të zbuluar, ndaluar dhe shoqëruar menjëherë në burgun e Shutkës, dy ish punonjësit e policisë, të paditur nga Prokuroria Speciale për përgjim masiv dhe shkatërrim të pajisjes së përgjimit.

Pavarësisht se vendimi për paraburgim ishte caktuar që në shkallën e dytë, Gjykatën e Apelit, policia dhe shërbimi sekret nuk e panë të udhës që të mbanin nën vëzhgim të paditurit, t’i përcillnin ata dhe t’i ndalonin në kohë.

Vendimi për paraburgim ishte i ekzekutueshëm që në fazën e Apelit, pasi ai përbën fakt notor dhe shërben si bazë e mirëfilltë për veprim policor, ndërkohë që përveç kësaj, Ministria e Brendshme mund të bazohej edhe në praktikën e deritanishme, kur policia reagonte gjithnjë në kohë që kur paraburgimi vendosej që në shkallën e parë, kur të akuzuarit janë ndaluar menjëherë pas vendimit për paraburgim dhe janë dërguar për në Shutkë.

Por, Ministria e Brendshme ra kështu për here të dytë në lojën e gjykatave, pas precedentit të shënuar me rastin e Sead Koçanit.

Për herë të parë në historinë e Maqedonisë, një mandat-arrest lëshohet pas një vendimi gjyqësor që vjen nga Gjykata Supreme.

Në softuerin e përpilimit të mandat-arrestit, nuk ka pasur modul përcaktues ose grafikë që përzgjidh kategorinë e Gjykatës prej nga vjen vendimi për paraburgim.

MPB-ja u gjet sërish e papërgatitur, duke e lëshuar urdhër-arrestin shumë orë më vonë.

Mandat-arresti vendor dhe ai ndërkombëtar, për të paditurit është hartuar në orën 13:30 të mesditës së të enjtes, gati 20 orë pas kërkimeve të dështuara të policisë.

Pyetje në adresë të MPB-së:

1) Kujt i atribuohet ky dështim policor për ndjekjen, zbulimin dhe shoqërimin për në burgun e Shutkës të të paditurve Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski?

2) Çfarë përgjegjësie duhet të ndajë Ministria e Brendshme pas këtij dështimi?

3) Përse Ministria e Brendshme ishte e papërgatitur në përpilimin e mandat-arresteve, si dhe përse u deshën gati 20 orë për hartimin e tyre?

4) Përse Ministria e Brendshme dështoi të ndiqte praktikën e saj policore për paraburgosjen e të paditurve, pavarësisht procedurës ankimuese të tyre?

Numri një i këtij dikasteri Oliver Spasovski u përgjigj:

“Ky nuk është mos-sukses i policisë së Maqedonisë, kjo tregon sa është i helmuar gjyqësori në vend. Përgjegjësinë duhet ta kërkoni ju, ne dhe opinioni te gjykatësit. Për këtë duhet të mbahet përgjegjësi serioze sepse u dha hapësirë njerëzve që të ikin. A fshihen diku në shtet ose jashtë shtetit, kjo duhet të jetë një mesazh dhe shtytje e fortë për reformat që presin në sistemin e drejtësisë dhe të kërkohet njëherë e përgjithmonë përgjegjësi nga ata që u mundësojnë kriminelëve të ecin rrugëve të lirë.”

Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, tashmë dy ditë ndodhen në arrati dhe të pakapshëm për organet. /alsat/
Shtuar më 28/07/2017, ora 18:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori