Ministri Shabani takon ambasadorin e Kosovës në Maqedoni
Pëlqej
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Lirim Shabani u takua sot me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa.

Në këtë takim, të dy bashkëbiseduesit folën për mundësinë e bashkëpunimit mes MVL dhe institucioneve simotra të Kosovës.

Një theks i veçantë u vu në bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet dy vendeve dhe Programin e IPA, fondeve të cilat financohen nga Bashkimi Evropian.

Shabani e njohu ambasadorin Hysa me punën e deritanishme të ministrisë të cilën ai e udhëheq.

"Unë me seriozitetin më të madh u jam qasur punëve për të avancuar procesin e IPA Programeve për bashkëpunim ndërkufitarë me të gjithë fqinjët tanë e në këto suaza edhe me Republikën e Kosovës. Deri tani aktivitetet janë zhvilluar mirë dhe ka rezultate pozitive duke u realizuar më shumë projekte", theksoi ministri Shabani.

Ai shtoi se ka kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e Delegacionit Evropian dhe pret bashkëpunim më intensiv në të ardhmen.

Edhe ambasadori Hysa çmoi punën e ministrit Shabani dhe vlerësoi se duhet bërë më shumë për thellimin e bashkëpunimit e sidomos për avancimin e procesit për shfrytëzimin e IPA Fondeve nga Bashkimi Evropian. /albeu.com/
Shtuar më 01/08/2014, ora 11:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori