Mexhiti: Shkupi nuk është Jerusalem, kryqi në kishë e minarja në xhami
Izet Mexhiti
"Shkupi nuk është Jerusalem, Belfast apo Bejrut, por është qytet ku duhet të ketë një bashkëjetesë mes maqedonasve dhe shqiptarëve dhe askush nuk mund të nxitë konflikte ndëretnike dhe ndërfetare".

Kështu është shprehur Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili sot protestoi para ndërtesës së Komunës së Butelit, duke paralajmëruar protestat masive në ora 17:00 kundër vendosjes së Kryqit gjigant në hyrje të Butelit.

"Nuk do të lejojmë që shteti jonë të përfshihet në urrejtje dhe dhunë fetare. Qëllimi jonë është paqja, bashkëpunimi, solidariteti dhe bashkëjetesa mes grupeve të ndryshme etnike e fetare. Ne nuk duam që Shkupi të shndërrohet në Belfast, Jerusalem apo Bejrut", u shpreh Mexhiti.

Mexhiti, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, i ka shpalosur arsyet se pse nuk duhet të vendoset kryqi gjigant në hyrje të Komunës së Butelit ku 50% e nxënësve që mësojnë janë shqiptarë.

"Jemi mbledhur këtu për të shprehur kundërshtimin tonë si komunitet i dytë më i madh në vend, lidhur me vendimin përjashtues të Komunës së Butelit, vendim i cili ka vetëm një qëllim: përmes instrumentalizimit të fesë për qëllime politike të provokojë dhe të prodhojë tensione dhe përplasje etnike në Maqedoni", ka deklaruar Mexhiti

Kryetari i komunës Cair, gjatë qëndrimit të sotëm në Butel, u shpreh se, kryqat duhet të vendosen në Kisha ndërsa minaret në Xhamia, duke aluduar në atë se në Maqedoni ka tolerancë ndërfetare dhe ndëretnike dhe askush nuk ka të drejtë që përmes simboleve fetare të nxisë konflikte të reja mes shqiptarëve dhe maqedonasve. /albeu.com/
Shtuar më 03/03/2016, ora 11:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori