Shfuqizohet vendimi, Klan Kosova do të vijojë aktivitetin normalisht

Është shfuqizuar vendimi për pezullimin e licencës ndaj Klan Kosovës duke bërë që televizioni të vijojë aktivitetin normalisht pas regjistrimit edhe në Agjencin╒ Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve.

Pas kësaj ka reaguar edhe vetë televizioni duke falenderuar këdo që e mbështeti në këtë sfidë, përfshi ambasadat e huaja si edhe institucionet e Kosovës që zbatuan ligjin.

Reagimi

Klan Kosova ka kënaqësinë të njoftojë se është përmbyllur plotësisht në mënyrë të rregullt dhe ligjore procesi pranë insitucioneve të Republikës se Kosovës.

Sot, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka lëshuar vendim zyrtar, me të cilin ka njoftuar se përfaqësuesi i autorizuar i Shoqërisë Tregtare Klan Kosova Sh.P.K. ka dorëzuar kërkesën për plotësim dokumentacioni dhe se me këtë rast ARBK-ja ka bërë shfuqizimin e vendimit të saj për suspendmin e certifikatës së biznesit.

Me këtë rast, Drejtoria e ARBK-së zyrtarisht ka njoftuar se kështu „kanë ndryshuar rrethanat faktike“, të cilat kishin nxitur vendimin e javës së kaluar për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, duke dhënë vlerësimin e ri se ai vendim tash është shfuqizuar.

Vendimin e sotëm, ARBK-ja e ka përcjellur në Komisionin e Pavarur për Media (KPM) dhe në Klan Kosova.

Klan Kosova ka bërë shkresë zyrtare drejtuar KPM-së, në mënyrë që t’i njoftojë për korrigjimet e bëra dhe vendimin e ri të ARBK-së.

Klan Kosova falënderon të gjithë ata që u angazhuan që ky proces administrativ të shkojë sipas ligjit, që janë ambasadat e Quintit të akredituara në Kosovë, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare dhe vendore të të drejtave të njeriut, medias, gazetarëve dhe lirisë së shprehjes, si dhe veçanërisht të gjitha mediat dhe kolegët tanë gazetarë për solidarizimin pa asnjë hezitim.

Po ashtu, Klan Kosova dëshiron t’i falënderojë institucionet e shtetit, ARBK-në dhe KPM-në, për korrektësinë dhe profesionalizmin e treguar në trajtimin e çështjes.


Shtuar 21.06.2023 15:50