Mesazhi i kreut të BFIM për Kurban Bajramin
Mesazhi i Reis-ul-Ulemasë h. Sulejman ef. Rexhepi me rastin e festës së Kurban-Bajramit 2011.

Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit.

Të nderuar vëllezër dhe motra,

Jemi në prag të Kurban-Bajramit, festës që karakterizohet me përfundimin e disa prej çështjeve më me vlerë të Islamit. Kurban-Bajrami është festë që ndërlidhet me kryerjen e kushtit të pestë të Islamit-Haxhin. Gjithashtu, ajo gjithnjë na bën të jemi të lidhur me ndodhinë më të madhe të Ibrahimit (a. s.) me djalin e tij, Ismailin (a. s.), dhe veprën e gjithë muslimanëve që ka të bëjë me therjen e Kurbanit, dhe mbi të gjitha, me përfundimin e shpalljes së Fjalës Hyjnore, fjalës së pastër e të përsosur të Krijuesit të botëve, të Allahut Fuqiplotë- Kurani fisnik.

Kjo festë, tani, flet për një të dhënë shumë të çmuar për shoqërinë muslimane dhe gjithë popujve anekënd botës, ngase sot afër 5 milionë muslimanë janë bashkë në vendet e shenjta dhe të bekuara duke bërë haxhin, pjesë e së cilës janë edhe haxhilerët tanë. Kjo e dhënë e shpalos konceptin e Islamit mbi unitetin që duhet mbizotërojë gjithandej ku jetojnë muslimanët dhe të sensibilizohen në vazhdimësi, e të mos flasim në momente të rënda dhe kritike.

Kjo festë na përkujton fuqinë e zërit, shkëlqimin e idesë së çiltër, dinjitetit dhe shpirtit human që duhet të mbizotërojë tek muslimanët. Potenciali intelektual dhe ai shpirtëror, të frymëzuar nga vepra e Muhamedit (a. s.), e cila është krijuar dhe ndërtuar mbi bazë të filozofisë së fuqishme që rrezaton nga drita e Kur’anit, na bën të flijojmë gjënë më të çmuar dhe më të shtrenjtë që kemi vetëm për Allahun e Madhërishëm.

Besimtarë të dashur, vëllezër e motra,

Ne jemi të edukuar shpirtërisht që përmes adhurimit, flijimit dhe veprimit pozitiv të dëshmojmë lartësimin e Allahut dhe përkushtimin ndaj Tij.

Kjo festë arrin kulmin e saj të manifestimit kur besimtari me bindje dhe karakter të fuqishëm madhëron Allahun duke therur kurban, sakrificë e cila realizohet ndër gjenerata te muslimanët dhe na dëshmon shpirtin e humanitetit dhe ndjenjën e sensibilizimit me të gjithë ata që kanë nevojë për kujdesin tonë. Një sakrificë e tillë rrezaton mrekullueshëm nga drita e Kur’anit fisnik, tek i cili gjithnjë kemi arritur të kuptojmë esencën dhe simbolikën e therjes së Kurbanit dhe të gjithë gjërave tjera që i flijojmë për hir të Allahut: “Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë, thjesht, për Allahun.” (El-En’amë, 162)

Vlera dhe koncepti i sentencës ‘humanizëm dhe dashuri vëllazërore, që duhet të mbizotërojnë këto ditë dhe në kontinuitet mes nesh’, në ditët e Kurban-Bajramit janë vetëm momente që ringjallin sensin e unitetit dhe të afërsisë.

Vëllezër dhe motra të nderuar, le të jetë kjo festë edhe një mundësi për të gjithë ne që me një vigjilencë të madhe të respektojmë parimet hyjnore, të cilat urdhërojnë për bamirësi, humanitet, tolerancë, respekt, edukim. Nga sjelljet tona të burojnë mesazhe se gjithnjë duhet të kujdesemi për nevojtarët, skamnorët, jetimat dhe të ngratët, por edhe për ata që në disa çaste i sprovon Allahu me ndonjë fatkeqësi e që kanë nevojë për ndihmën tonë.

Sot disa vëllezër, motra dhe fëmijë muslimanë në Turqi po kalojnë këtë festë nën tenda, si pasojë e dridhjeve të tokës që ndodhën ditë më herët, andaj më ka pikëlluar gjendja e tyre; por, ata mbeten në kujtesën time dhe tonën, andaj edhe atyre do t’ua zgjasim dorën. Gjithashtu, nga kjo shtëpi lus Allahun të gjithë atyre që të bëjnë durim në këto ditë, duke qenë i bindur se mbarë shoqëria muslimane sot do të dëshmojë vetëdijen dhe kulturën e lartë fetare në përkujdesjen e tyre.

Besimtarë të nderuar, të përqendrohemi edhe më tej në porositë e Krijuesit tonë, të ndihmojmë njëri-tjetrin e të mos vështirësojmë! Le të ketë prioritet komunikimi dhe jo urrejtja mes nesh; paragjykimet asnjëherë nuk kanë sjellë paqe dhe dashuri, dhuna dhe hileja janë elemente që nuk i takojnë fesë sonë, Islamit. Sot le të deshmojmë zemërgjërësinë dhe dorëzgjatjen tonë; mos të lejojmë që të afërmit tanë të jenë të anashkaluar nga mendja dhe kujdesi ynë. Kurbanin që therni le të jetë edhe në sofrat e jetimëve dhe të fukarave, në sofrat e skamnorëve dhe të ngratëve, andaj me sjelljen tuaj, të ndërtuar nga mësimet islame, zgjateni dorën ndaj të gjithëve dhe mos t’ju pengojë ngjyra e saj, ngase Muhamedi (a. s.) thoshte:

“Nuk ka dallim arabi nga joarabi, i bardhi nga i ziu…” Me këtë dëshmoni sjelljen e mirëfilltë islame, që reflekton nga drita e besimit tuaj, me të cilën arrini pajtimin dhe kënaqësinë e Krijuesit të Madhërishëm, Allahut (xh. sh.).

Me këtë rast, i lutemi Allahut (xh. sh.) që gjithandej ku jetojnë muslimanët dhe mbarë njerëzimi të lëshojë rahmetin e Tij, t’i ndihmojë në progresin e tyre dhe t’i mbrojë nga ata që kanë ide, mendime dhe përgatisin komplote.

Në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë dhe në emrin tim personal jua uroj këtë festë islame, duke iu drejtuar me lutje Mëshirëplotit për ndihmë, mbarësi, shëndet dhe lumturi.

Urime të përzemërta u shprehim të gjithë besimtarëve tanë në vend, vëllezërve tanë nga rajoni e më gjerë, si dhe mërgimtarëve, duke iu dëshiruar mirëqenie, disponim të këndshëm dhe harmoni familjare gjatë ditëve të festës së Kurban-Bajramit.

Njëherit, lusim Allahun (xh. sh.) që t`u pranojë Haxhin haxhilerëve që janë në vendet e shenjta, t’u pranojë atyre therjen e kurbanëve në emër të Tij, me theks të veçantë haxhilerëve që kanë udhëtuar nga R. e Maqedonisë, numri i të cilëve është i konsiderueshëm.

Gëzuar festën e Kurban-Bajramit! Allahu ju bekoftë!

Shtuar më 06/11/2011, ora 12:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori