Jo thjesht sllavizmi, pse Serbia e do Rusinë?

Pavarësisht nga krimet e saj në të kaluarën, Serbia e sheh veten gjithmonë si viktimë, jo si agresore dhe politika e saj bazohet në kultin e viktimës, njëherësh në ndjenjat e përbuzjes për Perëndimin, shkruan The New York Times përpara zgjedhjeve në këtij vendi.

I vetëdijshëm për zemërimin dhe plagët ende të pashëruara që mbetën pasi NATO bombardoi Serbinë më shumë se 20 vjet më parë, ambasadori ukrainas në Serbi Oleksandr Alexandrovich u shfaq në televizion pasi Rusia sulmoi vendin e tij, duke shpresuar të ngjallte simpatinë tek qytetarët serbë, thuhet në artikull.

Megjithatë, në vend të kësaj, ambasadori duhej të ulej dhe të shikonte dhe të dëgjonte komentuesit pro-rusë dhe regjistrimet e gjata të presidentit rus Vladimir Putin duke e shpallur vendin e tij një vatër nazistësh.

I gjithë emisioni zgjati tre orë dhe më shumë se gjysma i ishte kushtuar Putinit.

Kur ambasadori u ankua te producenti i Happy TV, një televizion proqeveritar, shton artikulli, ai mori përgjigjen se nuk e kuptonte personalisht dhe se Putin ishte “i mirë për shikuesit”.

Sipas “Informer”, “Ukraina sulmoi Rusinë”

Lideri rus, i cili shihet nga shumë në Perëndim si një kriminel lufte, shërben në Serbi për të tërhequr shikuesit, sipas NYT, duke përmendur një murale të Putinit me fjalën “vëlla” të shkruar pranë saj.

“Një pjesë e joshjes me Putinit qëndron në imazhin e tij si një lider i fortë, i cili është një model tërheqës për presidentin Aleksandar Vuçiç, liderin gjithnjë e më autoritar të Serbisë dhe kryeministrin Viktor Orban, udhëheqësin armiqësor joliberal të Hungarisë. Përpara zgjedhjeve të së dielës, të dy udhëheqësit e shohin gjithashtu Rusinë si një burim të besueshëm për tërheqjen e votuesve. Sondazhet tregojnë se do të fitojnë të dy”, thuhet në shkrim.

Theksohet se në Serbi ekziston një version mitologjik i së kaluarës, sipas të cilit Rusia paraqitet si një vend vëllazëror sllav dhe ortodoks dhe ekziston edhe një kult i sakrificës.

Psikoterapistët shpjegojnë mungesën e ndjeshmërisë për vuajtjet e ukrainasve në mesin e shumë qytetarëve serbë me trauma të patrajtuara.

“Ndjenja e viktimës është e thellë në Serbi, kështu që krimet e kryera gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990 shihen si një mbrojtje dhe përgjigje ndaj vuajtjeve të shkaktuara mbi serbët, pasi Putini e paraqet pushtimin e tij të përgjakshëm të Ukrainës si një përpjekje të drejtë për të mbrojtur të persekutuarit etnikë, rusët që i përkasin Rusisë.

Bosko Jaksiç, një gazetar dhe kolumnist, shpjegon për NYT se ky është një version i asaj që nacionalistët e quajnë “Serbia e Madhe”.

Gazeta amerikane citon edhe shembullin e Informer, një tabloid i cili, siç thotë, shpesh pasqyron opinionin e Vuçiçit dhe që botoi kopertinën e “Ukraina po sulmon Rusinë!” muajin e kaluar.

Mediat, shtohet, e zbutën pak qëndrimin – Rusia nuk kritikohet kurrë, por sulmet ndaj Ukrainës janë reduktuar.

“Jo aq proruse sa urren NATO-n”

Ambasadori ukrainas e përshëndeti ndryshimin, por tha se “për shkak të traumës që ndodhi 23 vjet më parë, gjithçka që po ndodh keq në botë shihet si faji i Amerikës”.

Vuçiç shmangu vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por Serbia dënoi pushtimin rus në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, për të cilën mori vlerësime nga zyrtarët amerikanë.

Nga ana tjetër, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Beogradi është një vend i mirë për të mbajtur bisedimet e paqes midis Moskës dhe Kievit.

Serbët që duan që vendi i tyre të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe të pushojë së luajturi mes Perëndimit dhe Lindjes, e akuzojnë Vuçiçin për një lojë të dyfishtë.

Vladimir Medjak, nënkryetar i Lëvizjes Evropiane të Serbisë, një grup që lobon për anëtarësimin në BE, i tha NYT se Serbia “nuk është aq pro-ruse sa urren NATO-n”.

Në vend që të shkojmë në Evropë, shton ai, “ne ende po flasim për atë që ndodhi në vitet ’90 dhe është e pafund, sepse ne jemi ngecur në të njëjtën gjë pa pushim”.

“Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftimeve në Ballkan, shumë serbë ende mohojnë krimet e luftës në Srebrenicë, ku ushtarët serbë vranë më shumë se 8,000 muslimanë në vitin 1995, dhe në Kosovë, ku persekutimi brutal i serbëve ndaj shqiptarë, gjë që çoi  në fushatën e bombardimeve të kryera nga NATO-ja, shihet nga serbët si vuajtje që u shkaktohet atyre”, shkruan gazeta.

“Të gjithë të tjerët kanë një histori viktimizimi”

Damnjan Knezevic, kreu i Patrullës Popullore, një grup ultra i djathtë që organizoi protestat proruse, thotë se ai është në solidaritet me Rusinë sepse ajo portretizohet si një agresore në Perëndim, ashtu si Serbia në vitet 1990.

“Serbia ishte në fakt viktima më e madhe,” tha ai, duke shtuar se “kishte detyrë të mbronte popullin e saj” në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, siç duhet të bëjë Rusia tani për rusët në Ukrainë.

Bosko Obradoviç, kreu i partisë konservatore Dveri, thotë se i vjen keq për viktimat civile në Ukrainë, por këmbëngul se “NATO kishte një përgjegjësi të madhe” për fatin e tyre.

Shkrimi përfundon me deklaratën e Predrag Markoviqit, drejtor i Institutit të Historisë Bashkëkohore në Beograd, i cili konkludon se i vetmi vend në Evropë që i pranoi plotësisht krimet e kaluara ishte Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore.

“Të gjithë të tjerët kanë një histori viktimizimi.”


Shtuar 31.03.2022 20:05