Mehmeti: Ndërhyrja e profesorëve prishi debatin për arsimin
Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, me anë të një postimi në profilin e saj në Facebook, shprehet se debati për provimin shtetëror u prish pas ndërhyrjes profesorëve.

"Në fakt, e gjithë atmosfera rreth debatit për propozim ligjet e arsimit u prish në momentin kur disa profesorë, më shumë për oportunizëm se sa për parime, ndërhynë në kauzën e studentëve dhe u munduan ta kontrabandojnë atë.

Protestën studentore deshën ta shndërrojnë në përfitim të tyre. Argumentet e studentëve deshën t'i kthejnë në poenë personale.

Dhe në momentin kur u ballafaquan me njeriun, në ngritjen politike të cilit kanë investuar për vite të tëra të gjithë kapacitetin e tyre akademik e individual, ata veprimtarë të arsimit u ndjenë ngushtë.

Reagimi i tyre dje për mua është arsyeja më e fuqishme përse na nevojiten reformat në arsim - që ta lirojmë akademinë nga kthetrat e përfituesve personale në emër të normave, ligjeve, apo dofarë parimeve që këta individë i interpretojnë ashtu siç u konvenon.

Protesta e studenteve është legjitime - dialogu me ta është i nevojshëm dhe e mbështesë. Vërejtjet e tyre duhet inkorporuar në versionin final të ligjit. Çdo gjë tjetër më duket si përpjekje për ta njollosur këtë protestë dhe këto kërkesa", shkruan në Facebook Ermira Mehmeti. /albeu.com/
Shtuar më 06/01/2015, ora 14:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori