Më në fund flet edhe Menduhi
"Në vitin 1999 ka pas luftë të tmerrshme dhe kufiri nuk është mbyllur, në vitin 2001 ka pas konflikt dhe kufiri ka funksionuar, dua të flas drejtpërdrejt me shqiptarët se kjo katërcipërisht e vërtetoi se vota e shqiptarëve për BDI-në është e kotë, ata nuk kanë kurrfarë force dhe askush nuk i bën hesap në këtë qeveri", tha kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për bllokimin e kufirit me Kosovën nga ana e qeverisë së Maqedonisë.

“Të gjithë shqiptarët që duan të votojnë BDI-në tash e tutje le të votojnë drejtpërdrejt për VMRO-në. Nuk diskutohet se ky veprim do të lërë pasoja të rënda mes shqiptarëve dhe maqedonasve, kudo që jetojnë shqiptarët. Është një veprim arbitrar që i takon shekullit të 15-të. Mendoj se këto çështje nëse janë pjesë e marketingut të dikujt, pasojat mund të jenë të pa kontrollueshme”, tha ai, transmeton Shqipmedia.

Në pyetjen e gazetarëve se a do të ketë zgjidhje të shpejtë të çështjes së emrit të Maqedonisë, kreu i PDSH-së tha se si duket zgjidhje të shpejtë nuk do të ketë dhe kjo nuk është lajm i mirë as për qeverinë as për qytetarët, situata do të vazhdojë të degradohet. “Greqisë nuk i kushton asgjë kjo politikë, është vetëm një deklaratë, ndërsa Maqedonisë i kushton perspektivë. Krejt kjo është në kuadër të komplikimit të situatës”, vlerësoi Thaçi.
Shtuar më 12/09/2013, ora 22:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori