Më 22 nëntor përkujtohet 102-vjetori i Kongresit të Manastirit
Pëlqej
Çarshia e Shkupit
Ditën e hënë, më 22 nëntor, përkujtohet 102-vjetori i themelimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, në prag të këtij përvjetori, paralajmëron themelimin e muzeut të kësaj shtëpie në qytetin e Manastirit.

"Në procedure është themelimi i Muzeut të Alfabetit në qytetin e Manastirit. Së shpejti do të hapim konkursin për personat që do të punësohen në këtë muze. Ne presim sinjalin nga Ministria e Financave të Maqedonisë dhe menjëherë do të hapet ky konkurs", ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha.

Sipas tij, në ditën e alfabetit, më 22 nëntor, do të realizohen edhe një sërë aktivitetesh të tjera.

”Delegacioni i Qeverisë, përkatësisht zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi bashkë me ministrat shqiptarë, do të vizitojnë të hënën Shtëpinë e Alfabetit në Manastir. Të njëjtën ditë, Sekretariati për implementimin e MO-së, bashkë me Shoqatën e historianëve shqiptarë, do të organizojë tribunë me temë për rëndësinë e alfabetit të gjuhës, po ashtu në Manastir. Të pranishëm mes të tjerëve në këtë tribunë, pritet të jenë historianë, përfaqësues të ekzekutivit, figura eminente, etj.", deklaron më tej Hoxha.

Gjithashtu, ai ka theksuar se në saje të këtij manifestimi, ishte edhe aktiviteti i Komunës së Çairit në Shkup dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për fillimin e punimeve për ndërtimin e shkollës fillore "Kongresi i Manastirit".

Kongresi i Manastirit u zhvillua 14-22 nëntor të vitit 1908, në të cilin morën pjesë dijetarët shqiptarë të kohës. Ata përcaktuan Alfabetin e Gjuhës Shqipe, i cili përdoret edhe sot.

Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt dhe Amerikë, ku kryetar i Kongresit ishte Mit'hat Frashëri.
Shtuar më 18/11/2010, ora 16:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori