Mbi 100 organizata kërkojnë që Ligji për Diskriminim të miratohet sot
Përfaqësues të organizatave, shoqatave dhe platformave qytetare sot me një protestë para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut kërkuan që Ligji për mbrojtje dhe pengimin e diskriminimit urgjentisht të miratohet në mbledhjen e sotme.

Ligji më shumë se tetë muaj ka ngecur në Kuvend edhe përkundër premtimit publik nga LSDM-ja se do të miratohet në afat sa më të shkurtër. Në mbledhjen e fundit kryetari i Kuvendit, pa kurrfarë arsyetimi e ka hequr ligjin nga rendi i ditës. Me këtë Kuvendi edhe një herë dëshmoi se qytetarët nuk i ka prioritet. Ata gjetën zgjidhje për miratimin e ligjeve për pengimin e drejtësisë, për amnisti, për privilegje të deputetëve, kurse për këtë nuk gjetën”, tha Elena Petrovska nga Rrjeti Kombëtar për Luftë Kundër Homofobisë dhe Transfobisë.

“Mbajeni fjalën, miratojeni ligjin”, “Bëhuni deputetë për të gjithë qytetarët”, “Miratojeni ligjin dhe nisni ta zbatoni”, “Shovinistët nuk mund të mbrojnë nga diskriminimi”, “Amnistia - e papremtuar e realizuar, mosdiskriminimi – i premtuar i parealizuar”, janë disa nga mesazhet që iu dërguan deputetëve nga protesta.

Protestën e përkrahën shtatë rrjete të organizatave qytetare dhe 92 shoqata dhe fondacione që i përfaqësojnë të drejtat e grupeve të ndryshme të qytetarëve që ballafaqohen me diskrinim, si shoqata të romëve, të grave, njerëzve me pengesa, LGBTI, qytetarë të varfër dhe të përjashtuar në pikëpamje sociale, shoqata të grupeve të ndryshme të pacientëve, punëtorë seksualë, njerëz me hiv, përdorues të drogave e kështu me radhë.


Shtuar më 11/03/2019, ora 12:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori